AUSTRI – Fuqitë e mëdha dhe Irani në përpjekje për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore

211

VJENË, 6 korrik /ATSH-DPA/ – Ministrat e Punëve të Jashtme të Iranit dhe pesë fuqive të mëdha (Kinë, Francë, Britani e Madhe, Gjermani dhe Rusi) mblidhen sot në Vjenë për të shpëtuar paktin bërthamor të vitit 2015, ndërkohë që iranianët paralajmërojnë se garancitë e Perëndimit për të mbajtur Teheranin në marrëveshje deri tani kanë qenë të pamjaftueshme.

“Ne jemi këtu që të dëgjojmë zgjidhje praktike dhe jo slogane”, tha ministri iranian i Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif në kryeqytetin austriak.

Pasi SHBA-ja doli nga marrëveshja bërthamore në maj, Irani e bëri të qartë se kërkon që kjo marrëveshje të funksionojë, por vetëm nëse pesë fuqitë e mbetura mund të garantojnë se Irani nuk do të përballet me izolim ekonomik nën sanksionet që SHBA-ja ka filluar të rikthejë.

“Ne duam t’i bëjmë të qartë Iranit sot se ai do të vazhdojë të përfitojë ekonomikisht nga kjo marrëveshje”, tha për reporterët ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas.

Bashkimi Europian ka marrë tashmë masa ligjore për të mbrojtur kompanitë europiane nga këto sanksione dhe është duke promovuar kompesime financiare të limituara për kompanitë që preken nga masat amerikane.

Për më tepër, blloku ka autorizuar Bankën Europiane për Investim që të financojë projektet iraniane. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.