Vlahutin: Shqipëria, model reformash të guximshme

TIRANË, 5 Korrik /ATSH/ – “4 vite më parë nisi reforma në drejtësi jo nga zero, por edhe më poshtë se aq. Dekada mangësish nuk ndreqen për një vit apo dy. Por rruga është e mbarë. Shqipëria ka arritur të bëhet model reformash të guximshme dhe shembull për rajonin”, deklaroi sot Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

E pranishme në aktivitetin “Forca e Ligjit në Veprim: Arritje dhe Sfida”, Vlahutin tha se “pas reformës në sistemin e drejtësisë faza tjetër për vënien e rregullit është zbatimi i ligjit”.

“Arrestimi i grupeve të organizuara, lufta kundër kanabisit, sekuestrimi i aseteve kriminale kanë qenë disa nga operacionet më të suksesshme të policisë. Një nga arritjet më të suksesshme është edhe ngritja e një grupi cilësor profesionistësh”, tha Vlahutin.

Vlahutin theksoi se, “çështja nuk është nëse ekziston apo jo krimi i organizuar, por a janë institucionet të afta ta shkatërrojnë atë. Krimi i organizuar është transnacional me kriminelë të kombësive të ndryshme dhe lind aty ku ka korrupsion më të madh. Prandaj mirëqeverisja është kusht themelor dhe i panegociueshëm në këtë luftë”.

“Duhet të jemi të qartë që krimi i organizuar nuk mund të jetë më i fortë sesa shteti. Kur krimi godet, shteti duhet të godasë edhe më fort. Asgjë s’mund të jetë më e fortë sesa institucionet. Tolerancë zero ndaj krimit”, bëri thirrje Vlahutin.

“Në këtë luftë”, vijoi ambasadorja e BE, “edhe shoqëria ka një rol mjaft të rëndësishëm. T’u mësojmë fëmijëve tanë të jenë qytetarë të denjë përmes shembujve të jetës sonë. Arsimi ka shumë rëndësi në këtë luftë”.

‘Nëse ka një gjë që më mërzit është kur dëgjoj se perceptimi i Shqipërisë jashtë është pasqyrimi i krimeve të personave me origjinë apo nënshtetësi shqiptare. Por unë kam takuar njerëz punëtorë dhe të mirë dhe nuk është e drejtë që ata të vendosen në një kontekst të tillë prej atyre që turpërojnë familjen e tyre. Shteti shqiptar nuk është përgjegjës për kriminelët me nënshtetësi shqiptare në Europë. BE po angazhon burime të konsiderueshme financiare dhe njerëzore në Shqipëri”, theksoi Vlahutin.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.