Forca e Ligjit, Xhafaj: Hetime të rëndësishme me ndërkombëtarët

237

TIRANË, 5 korrik/ATSH – I. Vata/ – “Policia e Shtetit po zhvillon operacione dhe hetime në bashkëpunim me organet ligjzbatuese të vendeve të huaja”, – deklaroi sot ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në aktivitetin me temë, “Forca e Ligjit në Veprim: Arritje dhe Sfida”, mbajtur sot në Tiranë, ministri bëri të ditur hetimin e disa bandave kriminale.

“Këto rezultate që paraqesim sot në këtë takim duan seriozitet dhe sakrifica. Është dashur shumë punë dhe vetëm punë, kohë pune pa orar e me përkushtim, seriozitet dhe përgjegjshmëri, por jo edhe pak sakrifica për t’u përballur me lloj-lloj sulmesh e presionesh që kanë provuar dhe vazhdojnë të tentojnë të na shfokusojnë nga prioritetet tona, të na demotivojnë dhe të na zbrapsin. Jemi krenarë që me moton: “Në zbatim të ligjit, në shërbim të qytetarit”, ia kemi dalë me sukses të shohim dhe të ecim përpara, të dëshmojë vullnet, por edhe rezultate konkrete”, – tha Xhafaj.

Ai shtoi se burra dhe gra që shërbejnë në Policinë e Shtetit dhe drejtuesit, kanë treguar profesionalizëm, kjo ka bërë që të rritet besimi. “Rreth 63% e qytetarëve kanë besim tek policia”, – u shpreh Xhafaj.

Ministri Xhafaj shtoi se rezultatet e punës së policisë, politika i komenton sipas interesit të ditës, duke e çuar këtë debat deri në shpifje.

“Lufta kundër krimit nuk është sipërmarrje e thjeshtë. Kërkon sakrifica njerëzore, t’ju jemi mirënjohës atyre që përballen çdo ditë me krimin. Politika e pozicionuar përballë policisë, duhet  të vlerësojë punën e tyre. Kjo politikë me papërgjegjshmëri sulmon policinë, edhe kur rezultatet e operacioneve janë të mëdha. Mirëpresim dëshmi konkrete”, – shtoi ai. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.