Balla: Opozita protestoi kundër reformës në drejtësi dhe Vetingut

Posted by Taulant Balla – Faqja Zyrtare on E enjte, 5 Korrik 2018

TIRANË, 5 korrik/ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se opozita proteston për gjithçka që ndërtohet në Tiranë, protestuan kundër reformës në drejtësi dhe kundër Vetingut.

Duke folur në Kuvend për projektligjin e Teatrit, Balla tha se sot Kuvendi nuk miraton ndërtimin e një teatri të ri, por si rrallëherë, Kuvendi me një procedurë tepër transparente autorizon procedurën për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objektin.

“Projketligji për godinën e Teatrit Kombëtar është ndër projektet më të bukura jo të Shqipërisë, por dhe të rajonit dhe do të ndërtohet pavarësisht qëndrimit tuaj”, – tha Balla duke iu drejtua opozitës.

Duke iu drejtuar kryetarit të PD-së Basha, Balla tha se “opozita e sheh çdo lajm të mirë për Shqipërinë si lajm të keq, si një javë më parë për hapjen e negociatave. Sot, po protestoni prap, po pse? Dhe përgjigja është e shkurtër. Protestoni se s’keni ç’bëni gjë tjetër. Ju s’keni axhendë, ekip, program. Sa për të protestuar, ju keni protestuar për gjithçka. Protestuat kundër reformës në drejtësi, dje protestuat kundër Vetingut. Këshilli Europian thotë se reforma në drejtësi dhe Vetingu kanë ecur përpara dhe përshëndet rezultatet e para, ndërsa opozita proteston kundër Vetingut. Protestuat kundër hapjes së negociatave”.

Kryemadhi: Do jem në rreshtin të parë të protestës për të mbrojtur Teatrin

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se godina e Teatrit Kombëtar i rezistoi tërmetit më me shumë se 200 goditje dhe jo më rruspave të qeverisë.

“Në kujtim të Naim Frashërit, Besa Imamit, Kadri Roshit dhe shumë artistëve të tjerë në mbrojtje të vlerave dhe kulturës. Bëj betimin se do jem në rrjeshtin e parë të mbrojtjes së Teatrit Kombëtar nga rruspat e qeverisë. Do jem në rrjesht të parë sepse “ti s’ke parë gjë akoma”, sepse sot me paratë e drogës po u mbyllet goja mediave, blen pronarët e televizioneve, mbyll gojën e deputetëve, mbyll gojën e policëve dhe të dëshmitarëve, por gojën e shqiptarëve nuk ke për ta mbyllë më”, – tha Kryemadhi.

Duke folur më tej, Kryemadhi tha se ky është një ligj, që për hir të së vërtetës, grabit hapur pronën publike dhe tani e grabit atë me ligj.

“Ne sot nuk i kemi votat për ta rrëzuar ligjin famëkeq të vjedhjes së pronës publike, por ju e dini shumë mirë që mjaftojnë 100 veta për t’ju zbrapsur. Ju e patë mirë se çfarë ndodhi me ‘Rrugën e Kukësit’”, – tha Kryemadhi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.