VARSHAVË – Protesta në mbrojtje të pavarësisë së gjyqësorit

VARSHAVË, 4 korrik /ATSH-ANSA/ – Protesta kundër qeverisë janë regjistruar në Varshavë dhe në qytete të ndryshme në mbrojtje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit.

Mijëra persona janë mbledhur përpara selisë së Gjykatës së Lartë duke thirrur ”Gjykatë e lirë” dhe ”Poshtë diktatura”.

Protesta janë regjistruar gjithashtu në qytetet Gdansk, Krakov, Lodz, Katowice e Wroclaw.

Këto protesta u provokuan nga një ligj i ri që detyron gjyqtarët më shumë se 65 vjeç të dorëhiqen, një normë e kontestuar nga Komisioni Europian që ka hapur për këtë një procedurë kundër Polonisë, ku rrezikojnë të largohen nga puna 1/3 e Gjykatës së Lartë si dhe kryetarja e saj, Malgorzata Gersdorf.

Qeveria thekson se në këtë mënyrë dëshiron të bëjë një gjykatë më demokratike dhe gjyqtarë më përgjegjës ndaj qytetarëve.

Opozita thekson se partia në pushtet ”Ligj dhe Drejtësi” po e shkatërron rendin demokratik në vend, përmes imponimit të një kontrolli politik mbi gjykatat./   /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.