Reforma për diasporën, Majko raporton në Komisionin e Jashtëm

181

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ – Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko prezantoi sot para Komisionit për Politikën e Jashtme, reformat e ndërmarra deri më tani në fushën e diasporës.

Ministri detajoi për të pranishmit arritjet në ndërtimin e një strukture shtetërore për diasporën, u ndal tek reforma legjislative, strategjia kombëtare dhe plani i veprimit 2018-2024 dhe votimi i shtetasve të Shqipërisë jashtë vendit.

Majko paraqiti gjithashtu një raport të imtësishëm mbi vizitat e punës jashtë vendit dhe pasqyrën financiare. Në fjalën e tij, ministri i Shtetit për Diasporën tha se ishte përmbyllur faza e parë e ndërtimit të strukturës shtetërore për diasporën, e cila do të funksionojë mbi bazën e tre ligjeve të miratuara në kohë rekord.

Majko përmendi rëndësinë e hartimit të një strategjie dhe plani veprimi për diasporën me karakter shumëplanësh. Ai foli për përgatitjet që po bëhen lidhur me samitin e diasporës dhe u ndal tek rëndësia e materialit mbi votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Sipas tij, komisioni duhet të njihej me eksperienca apo sugjerimet që do të ndihmojnë në realizimin e reformës së Kodit Zgjedhor.

Kryetarja e Komisionit, Mimi Kodheli, e pyeti Ministrin mbi autoritetin dhe kriteret për dhënien e çmimin “Ambasador i Kombit” dhe gjithashtu për bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, që e cilësoi si tepër të rëndësishëm.

Sa i përket çështjes së parë, Ministri tha se kandidatët për çmimin simbolik do të propozohen nga Ambasadorët në shtete të ndryshme, mbi bazë të arritjeve, kontributit dhe angazhimeve për promovimin dhe ruajtjen e vlerave shqiptare.

Sa i përket pyetjes së dytë, Majko tha se po punonin ngushtë me Ministrinë e Arsimit, veçanërisht për kurrikulën arsimore jashtë vendit.

Anëtarët e Komisionit i drejtuan pyetje Ministrit lidhur me ecurinë e procesit të ngritjes së Agjencisë për Diasporën dhe Fondit të Zhvillimit, mbi nxitjen e marrëveshjeve për sigurimet në vendet ku jetojnë shqiptarë dhe krijimin e një baze të plotë të dhënash të shqiptarëve jashtë vendit.

Në fund u prezantua edhe një projektrezolutë për reformën e politikës shtetërore për diasporën, e cila do të shqyrtohet nga komisioni. /m.m/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.