GJERMANI – Merkel: Do të bëjmë çdo përpjekje për evitimin e një luftë tregtare me SHBA-në

100

BERLIN, 4 korrik /ATSH-DPA/ – Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se do të bëjë çdo përpjekje për të shmangur një luftë tregtare me SHBA-në dhe përsëriti zotimin e saj për të rritur shpenzimet në mbrotje, duke u përqëndruar në dy pika madhore të mosmarrëveshjeve në marrëdhëniet SHBA-Gjermani.

Gjatë një fjalimi të zhvilluar sot në Parlamentin gjerman, Merkel deklaroi “se ia vlen të bëhet çdo përpjekje për të zbutur këtë konflikt kështu që ai të mos shndërrohet në një konflikt të përgjithshëm… përfundimisht Gjermania është e vendosur për këtë ashtu si gjithë Bashkimi Europian”.

Por, gjatë një fjalimi në një event ekonomik të organizuar nga instituti me qendër në Mynih IFO, komisioneri i BE-së, Guenther Oettinger parashikoi se “do të ketë një luftë tregtare”.

Tarifat e BE-së mbi xhinset, gjalpin e kikirikut dhe produkte të tjera amerikane, erdhën si përgjigje ndaj tarifave mbi importin që imponoi SHBA-ja prej 25% mbi çelikun dhe 10% mbi aluminin, që hynë në fuqi muajin e kaluar.

Gjatë fjalimit të saj në Bundestag, Merkel ripërsëriti gjithashtu zotimin e saj për të rritur shpenzimet për mbrojtjen me 1,5% të PBB-së deri në vitin 2024, një shumë që vlerësohet nga ekspertët të jetë rreth 60 miliardë euro. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.