Shqipëria dhe Mali i Zi nxisin heqjen e barrierave jotarifore

TIRANË, 3 korrik/ATSH-Maela Marini/ – “Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të identifikojnë dhe të përcaktojnë incentiva lehtësuese për të dyja palët, duke hequr barrierat jotarifore që shpeshherë bëhen një problem më vete për eksportuesit dhe importuesit tanë në të dy anët e kufirit dhe dekurajojnë zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit tregtar”.

Kështu deklaroi të martën, Kryeministri Edi Rama, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, në Shkodër.

“Kemi shumë për të bërë për nxitjen e shkëmbimeve tona tregtare, që nuk janë sot në shifra të atilla që të mund të reflektojnë gjithë këtë afërsi, ndërveprim mes njerëzve të zakonshëm dhe gjithë këtë potencial mes nesh”, tha Rama.

Lëvizshmëria e produkteve, certifikimi i tyre dhe prania e balancuar e investimeve, sipas tij, “janë pika ku ne patjetër duhet të bëjmë shumë më tepër së bashku”.

“Më vjen mirë që ky takim i rëndësishëm pasohet nga forumi i biznesit. Na takon ne që dëshirën edhe interesin e kompanive për tregun e Shqipërisë apo Malit të Zi, në dy anët, ta përkthejmë në mbështetje dhe hapa konkretë lehtësuese për ta. Edhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit mes dhomave të tregtisë është një hap i mirë në këtë drejtim, siç është një hap i mirë edhe marrëveshja e arritur mes Agjencisë sonë për Zhvillimin e Investimeve dhe Agjencisë së Malit të Zi për Promovimin e Investimeve”, tha Rama.

Këto agjenci, sipas tij, mund të bëjnë shumë së bashku duke shkëmbyer informacion dhe duke ndërtuar paketa të përbashkëta për investitorët të interesuar në të dy anët e kufirit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.