Shqipëri-Mal i Zi, marrëveshje për Policimin Ajror dhe Emergjencat Civile

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ -Shqipëria dhe Mali i Zi nënshkruan sot marrëveshjen për Policimin Ajror dhe Emergjencat Civile, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive mbajtur në Shkodër.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me homologun malazez, ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka tha se “si anëtarë të NATO-s kontribuojmë në mënyrën më të mirë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Shqipëria dhe Mali i Zi janë kontribues faktikë në rritjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe NATO. Marrëveshjet, përbëjnë një hap të rëndësishëm në rrugëtimin tonë rajonal dhe atë euro-atlanik”.

Xhaçka ka theksuar se Shqipëria dhe Mali i Zi, do të kenë bashkëpunim të shkëlqyer mes emergjencave civile dhe patrullimit ajror.

“Ne kemi vullnet të përbashkët për të bashkërenduar përpjekjet për rritjen e sigurisë së qytetarëve tanë. Ndajmë të njëjtat rreziqe dhe përballemi me të njëjtat sfida me Malin e Zi. Jemi pranë njëri-tjetrit për t’i ofruar ndihmë për të përballuar me sukses këto kërcënime të përbashkëta. Vendet tona kanë detyrime ndaj Aleancës. Këto marrëveshje materializojnë pikërisht përmbushjen e këtyre detyrimeve”, – ka sqaruar Xhaçka.

Ministrja tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, i hapim rrugën bashkëpunimit për rritjen e sigurisë në rajon dhe zonën Euro-Atlantike.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.