Entuziazmi i Bashës për Salvinin, Bushati: Komente të pashpjegueshme

TIRANË, 3 korrik /ATSH- I. Vata/ – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati i është përgjigjur kryetarit të PD-së, Lulzim Basha në lidhje me shpërdarjen prej tij të një statusi në Twiter të Matteo Salvini, ministër i Brendshëm i Italisë dhe lideri i Lega-s.

Në reagimin e tij përmes një postimi në Twitter, ministri Bushati shprehet se:  “Unë me të vërtetë shpresoj se kjo llogari e udhëheqësit të opozitës shqiptare është sulmuar, përndryshe askush nuk mund të shpjegojë këto komente inflamatore të Lulzim Bashës mbi popullin dhe vendin e tij”.

Më herët, kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha ka rishpërndarë një status në Twitter të Matteo Salvinit, ministër i Brendshëm i Italisë dhe njëherazi lider i Lega-s ku ai deklaron fundin e kohës së mafias.

“Koha e mafias ka stër-përfunduar! Tani duhet të demonstrojmë se shteti është më i fortë. Dua të kujtohem, në fund të udhëtimit, si njëri që më shumë se të tjerët luftoi Camorrën, ‘Ndrangheta-n dhe Mafian, duke u angazhuar në një turne, rajon pas rajoni”, shkroi Salvini në Twitter, në orët e para të mëngjesit të së martës.

Ndërsa kryetari i PD-së Basha bashkë me postimin e rishpërndarë në Twitter, shton se  “Mirësevjen “Era e Ndryshimit”, Matteo Salvini. Shumë shpejt edhe nga kjo anë e Adriatikut. Mafia shqiptare dhe Rama, që drejtojnë narko-shtetin, duhet të ndjejnë “nxehtësinë” nga Italia, në vend të gënjeshtrave, marrëveshjeve dhe fshehjeve të së shkuarës”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.