Thaçi merr mbështetjen amerikane për fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi

PRISHTINË, 2 Korrik /ATSH/- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi sot një bisedë telefonike me ndihmës-sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, me të cilin bashkëbisedoi për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në Facebook, Thaçi shkruan se ata janë pajtuar për intensifikimin e dialogut dhe domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ligjërisht detyruese me Serbinë.

“Dialogu dhe marrëveshja përfundimtare janë mënyra e vetme për t’i hapur rrugë integrimeve euroatlantike për Kosovën dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, shprehet Thaçi.

Kreu i shtetit thekson se “Kosova si gjithmonë, gëzon mbështetjen e palëkundur amerikane edhe në fazën e fundit përfundimtare të këtij procesi të vështirë, por jo të pamundur për t’u përmbyllur me marrëveshje”./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.