Negociatat, Gjermania e gatshme të ndihmojë Shqipërinë

TIRANË, 2 korrik/ATSH-Maela Marini/ – Gjermania është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë në përmbushjen e kërkesave të Këshillit të Bashkimit Europian për çeljen e negociatave.

Kështu deklaroi sot në Tiranë Anke Holstein, e ngarkuara me punë e Republikës Federale të Gjermanisë, e pranishme në tryezën e rrumbullakët me temë “Çfarë pritet nga Shqipëria pas konkluzioneve të Këshillit të BE për çështjet e përgjithshme: Pritshmëritë dhe detyrat”.

Ajo tha se “Gjermania pret nga Shqipëria që të zbatojë konkluzionet e Këshillit, të cilat  janë absolutisht shumë të qarta”.

“Çdo gjë është thënë e formuluar qartë dhe në mënyrë të kuptueshme. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë Shqipërinë në përmbushjen e kërkesave. Gjërat që po shikon parlamenti gjerman dhe parlamentet e vendeve të tjera janë shumë të qarta në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe përmbushjes së procesit të Vetingut”, – tha ajo.

Sa i takon krimit të organizuar, Holstein vlerësoi bashkëpunimin shumë të frytshëm me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë. “Gjërat po ecin përpara dhe shpresoj që brenda vitit që vjen të kemi disa rezultate të prekshme, që po ashtu do të ndihmojnë për të bindur ato vende anëtare që ishin dyshuese”, – tha ajo.

Po ashtu, Holstein theksoi se kërkohet që përparësitë e caktuara me procesin e Vetingut të zgjidhen dhe trajtohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga komisioni i Vetingut.

“Shpresojmë që ky proces të përfundojë të paktën për ata që janë në listat prioritare gjatë muajve në vijim. Çështjet duhet të shkojnë në prokurori për ato raste që janë vlerësuar negativisht dhe duhet të vijohet në këtë drejtim. Parlamenti gjerman shikon reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, – tha ajo.

E ngarkuara me punë e Republikës Federale të Gjermanisë vlerësoi se “Shqipëria po bën shumë përpjekje në këtë drejtim dhe ne jemi të gatshëm për t’ju ofruar ndihmën e nevojshme edhe në të ardhmen”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.