Kosovë- Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat  e artistëve europianë

PRISHTINË, 2 Korrik /ATSH/.- Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Prof. Dr. Eqrem Zenelaj hapi sot ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në veprat  e  artistëve  europianë”, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Në ekspozitën e çelur në kuadër të vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, drejtori i Agjencisë së Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, tha se ekspozita po hapet në një ditë të veçantë të 28 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës, e cila ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Janë ekspozuar mbi 80 punime që janë marrë në arkiva të njohura të botës nën kujdesin e përkushtimin e profesorit Zenelaj”, tha Manaj.

Ndërsa, autor i ekspozitës, Eqrem Zenelaj, tha se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu  nuk është vetëm emblemë kombëtare e shqiptarëve, por edhe më gjerë në Europë dhe botë.

Në 17 janar 2008, një muaj para jubileut të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Prishtinë aktivitetet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, vijonin me homazhe te Shtatorja e Heroit Kombëtar, e cila është ngritur në 28 Nëntor të vitit 2001 në një ditë feste të madhe të Pavarësisë së Shqipërisë, të tretën në Kosovën e lirë.

Po atë ditë është promovuar pulla postare me figurën e Skënderbeut, ndërkohë që në Prishtinë është mbajtur një akademi dhe është hapur ekspozita me 55 portrete për 550 vjetorin e tij.

 Aktivitetet e organizuara në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, nën kujdesin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë nisur në 15 janar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me Orën e Madhe Letrare “Ora e Gjergjit”, ku morën pjesë artistë, shkrimtarë dhe personalitete të tjera nga fusha e kulturës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 12 janarit 2018 formoi komisionin ndërministror për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. /b.j/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.