KOMENT – Dhuna, korrupsioni dhe Trump sfidat e Obradorit

MEKSIKO, 2 korrik /ATSH-AFP/ – Nga dhuna, që lidhet me trafikun e drogës, deri te  marrëdhëniet e komplikuara me SHBA-në, janë sfidat e shumta që e presin veteranin e së majtës meksikane, Andres Manuel Lopez Obrador i cili triumfoi të dielën në zgjedhjet presidenciale.

-Dhuna-

Viti 2017 shënoi shifrën rekord me 25 324 vrasje, sipas autoriteteve. Aktet e dhunës shoqëruan gjithashtu fushatën zgjedhore, me më shumë se 150 politikanë të vrarë, përfshirë 48 kandidatë ose pretendentë për t’u zgjedhur kandidatë.

‘’Grupet kriminale konfliktohen për kultivimin e tokës me opium, shpërndarjen e heroinës dhe besoj se dhuna nuk do të shënojë rënie për një kohë të shkurtër’’, u shpreh për median, Mike Vigil, ish-agjent i DEA-s, agjencia amerikane e antidrogës.

”Presidenti do të ketë nevojë për një strategji krejtësisht të ndryshme”, shprehet eksperti duke iu referuar përdorimit të forcave të armatosura në luftën ndaj krimit të organizuar, që ka çuar në copëzimin e karteleve në celula më të vogla dhe më të dhunshme.

Vigil vlerëson se të luftosh dhunën kalon nga formacioni i policisë lokale dhe lufta kundër korrupsionit në mesin e politikanëve.

”Duhet të sulmohen të gjithë aktorët e krimit nga lart poshtë, veçanërisht ata që mbrojnë këto grupe kriminale”, pohoi ai.

-Korrupsioni-

Lufta kundër korrupsionit ishte kryefjala e fushatës së Andres Manuel Lopez Obrador.

Korrupsioni mbetet një nga problemet që shkakton më shumë zëmëratë tek meksikanët. Qeveria e presidentit, Enrique Pena Nieto ka qenë e përfshirë në disa skandale, përfshirë blerjen nga bashkëshortja e tij e një shtëpie luksoze me vlerë rreth 7 milionë euro, nga një ndërtues i cili kishte përfituar kontrata publike.

‘’Tashmë korrupsioni është një nga temat më të mprehta të shoqërisë ’’, sqaron Arturo Sánchez, pedagog i Universitetit Teknologjik të Monterrey.

Sipas tij, tema e korrupsionit ka konkretizuar zëmërimin dhe dëshpërimin e shoqërisë dhe zgjedhësit vijonë të ushrojnë presion të vazhdueshëm ndaj qeverisë së re në mënyrë që kjo e fund të zgjidhë këtë problem.

-Trump dhe ALENA-

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Amerikano-Veriore (ALENA), që Meksika po rinegocion aktualisht me SHBA-në dhe Kanadanë, po e pengon horizontin ekonomik të vendit.

Për Meksikën ekonominë e dytë të Amerikës Latine është e rëndësishme arritja e një marrëveshje, 80% e eksporteve meksikane orientohen drejt SHBA-së, partneri i saj kryesor tregtar.

Negociatat pritet të rinisin në muajin korrik dhe do të vijojnë deri në vitin 2019.

Sektori i automobilave është në qendër të diskutimeve.

Pa iu referuar konkretisht ALENA-s, Lopez Obrador bëri të ditur se dëshiron një marrëdhënie me baza miqësie dhe bashkëpunimi me SHBA-në.

Megjithatë, analistët presin që marrëdhënia me SHBA-në të vijojë të jetë e komplikuar nën administratën e Donald Trump.

-Migracioni-

Çështja e migrantëve ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, ndërsa qindra familje i largohen dhunës së bandave në Amerikën Qendrore dhe varfërisë për të kërkuar azil në SHBA apo në rastin më të mundshëm në Meksikë.

Fenomeni është komplikuar nga pozicioni anti-imigracion i qeverisë së Donald Trump, që urdhëroi ndarjen e familjeve në kufi dhe akuzon rregullisht Meksikën se nuk po bën asgjë për të penguar migrantët që ti afrohen kufirit amerikan.

Qeveria e re meksikane duhet të promovojë zhvillimin rajonal në mënyrë që amerikanët e pjesës qendrore të mos largohen më nga shtetet e tyre.

”Qeveria duhet gjithashtu të arrijë të trajtojë në mënyrë njerëzore migrantët që përshkojnë territorin e saj, duke i ardhur në ndihmë atyre që duan të nisin një proces ligjor për të qëndruar në vend”, sipas Adolfo Laborde, pedagog në Universitetin Anahuac./ (Nga Yussel Gonzalez) /v.b/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.