Vrasja e gardistit, deklarata e prokurorisë dhe reagimet e politikës

TIRANE, 30 qershor/ATSH/-Një punonjës i Gardës së Republikës, shofer i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është gjetur i pajetë rreth orës 09:30 të ditës së shtunë në garazhin e institucionit.

Viktima është Shkëlzen Qordja. Prokuroria e Tiranës, Policia e Shtetit dhe SHÇBA në një njoftim të përbashkët deklarojnë se provat e mbledhura deri më tani tregojnë se kemi të bëjmë me një vetëvrasje.

“Policia e Shtetit është njoftuar nga Garda e Republikës, rreth orës 09:30 të mëngjesit, në garnizonin e Gardës, është gjetur i pajetë gardisti me detyrë funksionale shofer i Ministrit të Brendshëm, shtetasi Sh.Q., 31 vjeç.  Menjëherë është ngritur grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë, me përbërje oficerë të Policisë Gjyqësore ekspertë mjeko-ligjorë, ekspertë të kriminalistikës dhe hetues të SHÇBA-së.  Nga veprimet e para hetimore rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi SH.Q. Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda. Nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit. I ndjeri, ka nisur punë në Gardës e Republikës në datën 29.03.2017 dhe nuk ka qenë asnjëherë subjekt procedimi, pezullimi apo mase tjetër disiplinore. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Reagon Xhafaj: Ishte djalë i shkëlqyer, humba një njeri të afërt

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka reaguar pas vdekjes së shoferit të tij Shkëlzen Qordja.  Ministri shprehet se është shokuar nga ngjarja, pasi humbi një njeri të afërt.

“Jam i shokuar dhe nuk gjej fjalë të ngushëlloj prindërit dhe gjithë familjen e Shkëlzenit për humbjen tragjike të jetës së tij. Kjo ngjarje e rëndë ka shkaktuar një dhimbje të fortë njerëzore për mua dhe për të gjithë ata që punuan dhe e njohën nga afër atë. U prefsh në paqe, i dashur Shkëlzen! Nuk është dita sot për mua që të bëj politikë dhe as e ndaloj dot që politika të vazhdojë të merret me mua sot. Kam humbur krejt papritur një njeri të afërt, i cili si dhe gjithë familja e tij, ishte bërë si pjesë e familjes sime. Nuk kam asnjë koment për rrethanat e ndarjes së tij nga jeta, sepse prokurorët dhe ekspertët përkatës po punojnë ndërkohë për sqarimin e tyre. Nëse nuk kam se si u kërkoj hienave politike të mos sulen mbi të vdekurin, u lutem mediave që kanë sadopak ndjenjë njerëzore të respektojnë dhimbjen e prindërve, vëllezërve, të afërmve e miqve të tij. Ai ishte një djalë i shkëlqyer, një punonjës i papërtuar e fjalëpak, që la një boshllëk të madh pas vetes dhe nuk e meriton në asnjë mënyrë përbaltjen. Faleminderit paraprakisht, kujtdo që do ta konsiderojë këtë apel njerëzor!”, deklaron ministri.

Reagimi i Partisë Demokratike

Partial Demokratike ka reaguar lidhur me këtë ngjarje. Në një njoftim për shtyp, PD thekson se “sot Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme fshehën ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda Gardes së Republikës. Për dijeni të publikut, vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës iu bë e njohur medias dhe publikut nga Partia Demokratike menjëherë sapo ne morëm informacionin. Që prej fillimit, pati përpjekje për të manipuluar këtë ngjarje, nga më të rëndat që implikon drejtpërsëdrejti Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj”, thuhet në reagim.

Sipas PD, “në njoftimin e vet, Policia e Fatmir Xhafës nuk jepte shpjegime sesi ka mundësi që brenda Gardës së Republikës askush nuk ka dëgjuar 3 të shtëna armë me breshëri automatiku, siç thuhet në njoftim”.  “Kjo dhe rrethana të tjera që po i verifikojmë, tregon se vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës është e tipit mafioz, e kryer me silenciator”, deklaron PD. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.