Ulëza e rilindur, një destinacion turistik fantastik

TIRANË, 29 qershor/ATSH/.- Ulëza, e cilësuar si perla e Shqipërisë, një qytezë e vogël e rrethuar nga fshatra turistikë me një natyrë përrallore, është kthyer tashmë një destinacion për turistët vendas e të huaj.

Me bukuritë natyrore, pyjet me shtigje për ecje, liqenin për lundrim dhe plazh, kullat e vjetra plot histori nga e kaluara dhe kishat, ushqimi tradicional me bazë peshku dhe prodhime bujqësore të zonës, Ulëza ka shumë për t’i ofruar turistëve përgjatë gjithë vitit.
Kryeministri Edi rama në një psotim në Facebook uron mirëmëngjes me pamje nga Ulëza e rilindur.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga Ulëza e rilindur në një destinacion turistik fantastik, më pak se dy orë larg nga Tirana, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

Në Ulëz, e pozicionuar midis bashkive Mat dhe Mirditë, ndodhet edhe Parku Rajonal i liqenit të Ulëzës me një sipërfaqe prej 4 206 hektarësh dhe shtrihet në të gjithë kurorën e liqenit të Ulëzës dhe Shkopetit në një lartësi 400 m mbi nivelin e detit.

Qeveria shqiptare dhe CEB-i kanë realizuar investime për ndërtimin e kanalizimeve dhe depurifikimin e ujërave të zeza, ndërtimin e ujësjellësit dhe sistemin e shpërndarjes së ujit të pijshëm, rikonstruksionin e sheshit qendror dhe fasadat e ndërtesave shtetërore. Këto investime të qeverisë shqiptare dhe CEB-it kapin shifrën totale prej 168 milionë lekësh.

Pas shpalljes Park Natyror Rajonal rreth pesë vite më parë, tashmë Ulëzën e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj nga Italia, Franca, Gjermania, Çekia e Polonia.

Krahas frenimit të migracionit të popullsisë së zonës brenda ose jashtë vendit, shndërrimi i Ulëzës në një destinacion të mirëfilltë turistik pritet të nxisë zhvillimin e ekonomive familiare, si për shembull nëpërmjet ndërtimit të bujtinave për turistët, shitjes së punimeve artizanale, produkteve bujqësore, etj./k.s/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.