Tifozi i famshëm Manolo lejohet të hyjë në stadium me daullen e tij

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ Shumë nga dashamirësit e futbollit ndoshta e kujtojnë nga botërorët e shkuar tifozin nr. 1 të përfaqësueses spanjolle të futbollit, Manolon dhe daullen e tij të famshme, teksa i jepte kurajo ekipit të tij të zemrës.

“MARCA” e solli në vëmendjen e FIFA-s çështjen e moslejimit të hyrjes së tij në stadiumet ruse me daullen e tij dhe tani ai e ka marrë autorizimin për të hyrë bashkë me të në ndeshjen kundër Rusisë, në datën 1 korrik.

Nuk ishte e njëjta gjë që ai të ishte në stadium pa daullen e tij, siç ishte rasti në ndeshjet e grupit të ekipit kombëtar spanjoll në këtë Botëror, duke e bërë që ai të ndihej i vetëm pa të.

Kështu që të enjten, përmes lotëve të dëshpërimit, ai i kërkoi qeverisë spanjolle dhe Kryeministrit Pedro Sanchez, të ndërhynin pranë autoriteteve ruse dhe madje i kërkoi ndihmë Vladimir Putinit.

Por, nuk ka qenë e nevojshme që të shkonte aq larg.

“MARCA” ka kontaktuar me FIFA-n për të diskutuar në detaje rastin, duke i bashkëngjitur edhe një video. Dy orë më vonë, ekzekutivi i FIFA-s, Miguel Macedo kërkoi numrin e telefonit të Manolos, për ta ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe që çdo gjë të kthehej në normalitet për përkrahësin më të zjarrtë të Spanjës.

Ai e ka ndjekur kombëtaren në 10 kupat e fundit të tyre dhe ia ka dalë të ngrejë lart moralin dhe shpirtin e skuadrës me daullen e tij.

Ai u ndalua të hyjë me daullen e tij në stadium, për shkak të masave të rrepta të sigurisë që rrethojnë Botërorin Rusi 2018, por ndërhyrja e organizatorëve ka bërë të mundur që ai ta sjellë daulle e tij përsëri në stadium. Ai do të zërë vendin e tij në mesin e 3,000 tifozëve spanjollë në “Luzhniki Stadium” kundër Rusisë dhe të tjerët do të jenë në gjendje të shijojnë tingujt melodikë të Manolos dhe daulles së tij që mbështet “La Roja”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.