SHBA – Qindra gra protestojnë në Senat kundër ndarjes së familjeve të migrantëve

UASHINGTON, 29 qershor /ATSH-AFP/ – Rreth 600 protestues, shumica gra, mësynë të enjten në ndërtesën e Senatit amerikan për të protestuar kundër ndarjeve të familjeve të migrantëve dhe dërgimit të tyre në qendra të paraburgimit, përpara se të arrestohen.

Me mbulesa termike, të njëjta me ato që u shpërndahen fëmijëve të ndarë nga prindërit e tyre klandestinë, gratë mbanin në duar një banderolë të madhe ku ishin shënuar fjalët ‘’Familjet duhet të qëndrojnë së bashku në liri’’ në sallën e madhe të një godine zyrash ngjitur me Kongresin.

Policia e Kapitolit njoftoi se ka arrestuar me akuzën ”për manifestim të paligjshëm” rreth 575 persona. Akuza u përpilua në vendngjarje, më pas të gjithë të ndaluarit, u lanë të lirë.

Aktorja amerikane, Susan Sarandon kishte drejtuar më parë një kortezh protestuesish, që parakaloi përpara Departamentit të Drejtësisë në Uashington.

Prania e Susan Sarandon në institucion nuk u konfirmua, por ajo postoi një Twitter një foto të tubimit shoqëruar me mbishkrimin ”Duhen bërë bashkë sa më shumë veprime të fuqishme nga qindra gra për familjet e ndara nga politika imorale e policisë përgjegjëse për imigracionin”./ /v.b/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.