Faza e re e rrugës drejt anëtarësimit, asnjë kusht shtesë nga BE

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë takimit me Ambasadorët e Bashkimit Europian në Tiranë, si dhe strukturat e integrimit europian në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe ministritë e linjës, se nuk ka kushte të reja shtesë për hapjen e negociatave.

“Më vjen për të qeshur, por edhe për të qarë kur dëgjoj të thuhet se Europa ka vënë 13, 12 apo 7 kushte. Europa nuk ka vënë asnjë kusht, por thjesht ka nënvizuar të gjitha kushtëzimet që ka procesi në këtë fazë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “qeshëm me Kryeministrin e Malit të Zi se po diskutonim për pesë prioritetet dhe tha prit, prit, ne jemi brenda negociatave dhe tani që flasim kemi 94 kushte dhe kur të mbarojmë këto do të dalin 124 të tjera dhe është gjëja më normale për këtë proces”.

Sipas Ramës, të gjithë njerëzit do ta kuptojnë që këtu nuk është çështje kushtesh speciale, është çështje përputhshmërie në çdo aspekt të organizimit të shtetit tonë me organizimin e një shteti në parametrat e një vendi anëtar të BE-së”.

Kryeministri Rama tha se “ajo çfarë është përcaktuar në këta 12 muaj, nuk ka asgjë më shumë se ç’ka përmban programi ynë i reformave dhe plani ynë në zbatimin e reformave”.

“Ne do vazhdonim Vetting-un, me apo pa datë, ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit, do vazhdonim ato që po bëjmë çdo ditë, luftën ndaj korrupsionit. Këto nuk do ndalonin nëse do hapeshin negociatat, apo nëse do refuzoheshin. Ky proces nuk është për Europën apo për t’i plotësuar tekat një vendi të BE, ky proces është për fëmijët tanë, për të nderuat një shtet europian. Negociatat nuk janë të rëndësishme vetëm për t’u anëtarësuar në BE, por thellojmë procesin e shtetbërjes europiane, me standarde në të gjithë sektorët, në administratë”, – përfundoi Kryeministri Rama. /k.s//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.