SOFT NEWS – Vetëm 12 vjeç kalon i vetëm… La Manshin!

PARIS, 28 qershor /ATSH-AFP/ – Vetëm 12 vjeç, Tom Goron theu dje rekordin e kalimit të La Manshit, krejt i vetëm, në bordin e një anije të vogël me një velë, për 14 orë e 20 minuta, bëri të ditur media.

Djaloshi u nis të mërkurën në orën 07:00 nga ishulli Wight që ndodhet përballë Portsmouth, në jug të Anglisë, kapiteni i vogël i anijes me një velë kaloi vijën e finishit në hyrje të portit të Cherbourg-ut, në brigjet franceze rreth orës 21:20.

Në momentin e mbërritjes ai u shpreh se e kishte zënë deti.

Tom Goron përshkoi 60 milje udhëtim me një shpejtësi mesatare 7,6 kilometra në orë, i shoqëruar nga babai, i cili ndodhej në një anije tjetër me vela, në një distancë të vogël prej tij për të ndërhyrë në rast vështirësie.

Ai theu rekordin e mëparshëm të shënuar në vitin 2016 nga Violette Dorange, në atë kohë 15 vjeçare, e cila e përshkoi La Manshin për 14 orë e 56 minuta.

‘’Jam e lumtur për të që ia doli mbarë me sukses deri në fund të udhëtimit. Ai është kokëfortë, ambicioz, këmbëngulës dhe …. duhet ta ndjekësh’’, pohoi nëna e tij, Sofia./ /v.b/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.