S&D përshëndet hapjen e negociatave për Shqipërinë

BRUKSEL, 28 qershor /ATSH/ – Qeveritë e BE-së vendosën të martën që të hapin negociatat për aderim për Shqipërinë dhe Maqedoninë më qershor 2019. Por grupi politik i Parlamentit Europian S&D (Social dhe Demokratë) shpreh keqardhje për këtë mungesë të ambicjes pas vendimit për të vonuar fillimin e bisedimeve deri pas zgjedhjeve europiane që zhvillohen vitin tjetër, shkruan “European Interest” në faqen e saj në internet.

Ne i bëjmë thirrje Këshillit Europian që do të mblidhet sot në Bruksel që ta bëjë të qartë se negociatat për aderim nuk do të vonohen më shumë.

Victor Bostinaru, zëvendëspresidenti i S&D që është edhe përgjegjës për Punët e Jashtme tha se “procesi i BE-së për zgjerim është një rrugë me dy drejtime. Nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor nevojiten refomra themeltare të rëndësishme në mënyrë që të përmbushin kriteret e Kopenhagës, ndërkohë që BE-ja duhet të qëndrojë konsekuente dhe e besueshme, si dhe të garantojë rigorozitet por kushte të drejta. Progresi i bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia është i padiskutueshëm. Jam i bindur se gjëja e duhur për t’u bërë sot do të ishte hapja e negociatave për aderim për këto dy vende. Megjithatë, qershori 2019 është afër dhe besoj se dy vendet do të vazhdojnë rrugën e demokracisë dhe të reformave ambicioze. Sot, nuk ka dyshim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor mbetet në një Bashkim Europian të fortë dhe të bashkuar dhe se asnjë alternativë tjetër nuk do të jetë më e mirë për interesin e qytetarëve të tyre dhe të sigurisë dhe mirqenies së Unionit”.

Raportusi i Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe zëdhënës i S&D në Punët e Jashtme, Knut Fleckenstein deklaroi se “si raportues për Shqipërinë jam i bindur se Shqipëria meritonte hapjen e negociatave për aderim që këtë vit. Megjithatë, hapja e negociatave tani është e arritshme dhe një afat i qartë me hapat që duhen bërë është përcaktuar. Kam besim se qeveria e Shqipërisë dhe populli i saj do të pranojnë hapjen e negociatave të planifikuar për në qershor 2019 si një inkurajim për të përshpejtuar aplikimin e reformave”.

“Qytetarët e Shqipërisë janë të parët që përfitojnë drejtpërdrejtë nga reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe nga hetimet e vazhduara, ndjekjet penale dhe dënimet përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria ka bërë një progres të ndjeshëm në prioritetet kyçe të reformave në vitet e kaluara dhe të gjithë ata që po e analizojnë nga afër vendin e pranojnë këtë. Është thelbësore që njerëzit të ndjejnë benefitet në jetën e përditshme, për shembull në sektorin e arsimit dhe edukimit, në zhvillimin e sipërmarrjes dhe në forcimin e të drejtës së pronës”, theksoi ai. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.