Liria e medias, kusht për respektimin e të drejtave të njeriut

TIRANË, 28 Qershor/ATSH/ – Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim presidentin e Bashkimit të Transmetuesve Evropianë (EBU), Jean-Paul Philippot dhe Drejtorin e Përgjithshëm të EBU, Noel Curran.

Presidenti Meta vlerësoi zhvillimin në Tiranë, nën kujdesin e Radio-Televizionit Publik Shqiptar, të mbledhjes së Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të EBU-së.

Presidenti Meta çmoi dedikimin e këtij organizmi për ta bërë shërbimin e medias publike të domosdoshëm dhe inkurajoi drejtuesit e lartë të EBU-së për të fuqizuar marrëdhëniet dhe forcuar më tej bashkëpunimin me RTSH-në, me qëllim modernizimin e rritjen e mëtejshme profesionale të këtij medium publik.

Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike si dhe shprehu solidarizimin e tij të plotë me komunitetin e gazetarëve.

Në këtë drejtim, theksoi Presidenti Meta, është e nevojshme mbështetja dhe forcimi i mëtejshëm i Radio-Televizonit Publik Shqiptar. /gj.mima/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.