Ligj për rininë, Shqipëria i bashkohet vendeve të rajonit

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ – Për herë të parë Shqipëria, ashtu si edhe vendet e rajonit do të ketë një ligj për të rinjtë. Ministria e Arsimit dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri kanë nisur konsultimet me grupet e interesit për të adresuar nevojat e të rinjve dhe për të ofruar për ta më shumë shërbime.

Shpat Kolgega, zv.ministër i Arsimit ka thënë se ligji do të jetë në mbështetje të punësimit, projekteve rinore si dhe lehtësirave të ndryshme për ta.

“Me këtë ligj nuk është se do shpëtojmë nga hallet apo problemet që ka Shqipëria apo rinia shqiptare. Ky është një themel i mirë që do të hidhet, për t’u pasuar me më shumë projekte të tjera në mbështetje të të rinjve”.

Modeli këtë herë është gjetur Serbia, parlamenti i të cilit ka miratuar një të ngjashëm.

Ervjola Osmanaj nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri është shprehur se ky ligj ka si qëllim të përmirësojë të gjithë situatën sociale dhe të të drejtave të të rinjve në Shqipëri dhe punësimi mbetet në krye të gjithë kërkesave që të rinjtë kanë.

Përgjatë muajit korrik Ministria e Arsimit dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë do të zhvillojnë konsultime në të gjithë vendin dhe brenda këtij viti pritet që të finalizohet projekt-drafti që do t’i kalojë për diskutim Kuvendit të Shqipërisë. /z.tosku//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.