Foto/ Festohet në Tiranë Dita Kombëtare e Egjiptit

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ – Përfaqësues të qeverisë shqiptare, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Tiranë ishin sot të pranishëm në pritjen zyrtare në nder të Ditës Kombëtare të Egjiptit, kushtuar Revolucionit të Korrikut të vitit 1952.

Ambasada e Republikës Arabe të Egjiptit e zhvilloi pritjen në Hotel Tirana International, për të festuar 66-vjetorin e Revolucionit të 23 Korrikut, i cili shënon një ditë të pavdekshme në historinë e Egjiptit dhe paraqet një model për vendet afrikane dhe arabe, në luftën për të arritur çlirimin dhe pavarësinë e tyre.

Ambasadori Mohamed Khalil theksoi në fjalën e tij rolin e revolucioneve egjiptiane në hapjen e një epoke të re të zhvillimeve politike, ekonomike dhe sociale në Egjipt, Lindjen e Mesme dhe kontinentin afrikan, duke filluar nga revolucioni i 23 korrikut dhe duke kaluar nëpër revolucionet e 25 janarit 2011 dhe 30 qershorit 2013.

“Gjysmë shekulli më vonë, Egjipti ishte dëshmitar i revolucionit të 25 janarit 2011, ku njerëzit ngritën sloganin e dinjitetit, lirisë dhe drejtësisë shoqërore, të mbrojtur nga ushtria egjiptiane që qëndronte pranë popullit për të mbrojtur revolucionin dhe arritjet e popullit tonë. Revolucioni i 30 qershorit 2013 u zhvillua për të korrigjuar rrugën dhe për të shënuar një arritje tjetër të popullit egjiptian, që arriti të mbronte rajonin e Lindjes së Mesme si dhe identitetin islamik nga ekstremizmi, një fenomen që nuk lidhet me fenë islame”.

Duke vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe midis Egjiptit dhe Shqipërisë, ambasadori Khalil tha se marrëdhëniet e mira dypalëshe do të vijojnë të mbeten të tilla.

“Duke qenë ambasador i Egjiptit në Republikën e Shqipërisë, unë ripërsëris angazhimin e palëkundur të Egjiptit për të promovuar marrëdhëniet dypalëshe të bashkëpunimit në të gjitha fushat, bazuar në marrëdhëniet historike dhe miqësore që ne e çmojmë shumë”.

Ambasadori Khalil tha se marrëdhëniet egjiptiano-shqiptare politikisht kanë qenë gjithmonë të bazuara në koordinimin e vazhdueshëm, shkëmbimin e pikëpamjeve mbi çështjet, aktet e përbashkëta drejt ruajtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Në nivelin e bashkëpunimit ekonomik, të dyja qeveritë po punojnë së bashku për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, bazuar në një kuadër të fortë ligjor të marrëveshjeve dypalëshe që mbulon fushat e ndryshme të bashkëpunimit ekonomik që do të pasqyrohen së shpejti në krijimin e një këshilli të përbashkët biznesi egjiptiano-shqiptar dhe aktivizimin e Komisionit të Tregtisë së Përbashkët midis Egjiptit dhe Shqipërisë.

Për anën kulturore, Ambasada, në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Kulturës dhe bashkinë e Tiranës, kanë organizuar pjesëmarrjen e Trupës së Valleve Folklorike Kombëtare Egjiptiane në Festivalin Cloud (REJA) të Tiranës, pasuar nga një performancë tjetër e suksesshme në qytetin historik të Gjirokastrës.

 

Po kështu, një numër studiuesish shqiptarë morën pjesë gjithashtu në Forumin Rinor Botëror, nëntorin e kaluar në Sharm El Sheikh, ku morën pjesë liderë të rinj nga e gjithë bota, për të diskutuar tema të rëndësishme si zhvillimi i qëndrueshëm, kundër-ekstremizmi, etj.

Lidhur me vendimin e BE-së për Shqipërinë, ambasadori Khalil përcolli urimet më të mira të vendit të tij drejtuar qeverisë e popullit shqiptar.

“Ky sukses është i merituar, për të pranuar përpjekjet e mëdha që janë bërë prej vendit mik, Shqipërisë, gjatë viteve të fundit, për të arritur ëndrrën e popullit shqiptar, atë të bashkimit me familjen e BE”.

Pritja në Ditën Kombëtare përfshinte edhe një ekspozitë vetjake të pikturave në vaj të titulluar: “Qytetërimi dhe Kultura e Egjiptit”, të realizuara nga bashkëshortja e ambasadorit të Egjiptit, Sally Salem, e cila prezantoi në punët e saj disa aspekte të trashëgimisë së lashtë dhe trashëgimisë kulturore të Egjiptit.

/z.tosku//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.