Vlahutin: Kalendar i qartë për negociatat, nuk diskutojmë më data

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin u shpreh e lumtur për vendimin e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme në BE, që ka njohur reformat e guximshme të ndërmarra nga Shqipëria dhe ka dhënë një datë të qartë për hapat e mëtejshme dhe për punën përgatitore. Në një prononcim për mediet, ajo vuri në dukje se në vendimin e marrë një ditë më parë, ka tre elementë shumë pozitivë që duhen vlerësuar.

“Shqipëria ka marrë tri gjëra shumë të rëndësishme pozitive. E para, njohja e rekomandimeve dhe gjithë punës e reformave që janë bërë në Shqipëri. E dyta, një kalendar i qartë për konferencën ndërqeveritare. Kjo është shumë e rëndësishme pasi nuk duhet të diskutojmë data. E treta, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ka njohur që komisioni të nisë punën përgatitore”, – theksoi Vlahutin.

Ajo u fokusua tek puna e madhe përgatitore, që sipas saj, kërkon kohën e vet. Vlahutin theksoi se detajet e kësaj pune përgatitore do të bëhen shumë shpejt publike nga ana e misionit të BE-së në Tiranë.

Vlahutin vuri në dukje se kalendari është shumë i qartë për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke ftuar të gjithë aktorët të përqendrohen tek puna përgatitore që kërkohet.

Ky është kalendari, do dëgjoni më shumë nga ambasadori i ardhshëm, pasi nuk mund të flas një vit para se të ndodhë, ky është një kalendar i qartë, dhe në botën e BE-së tregon se ka një angazhim të qartë për këtë datë.

“Ne jemi të lumtur me këtë vendim, për të gjithë ata që punojnë për Shqipërinë. Është një mundësi për të lëvizur me ritëm më të shpejtë dhe të fillojmë përgatitjet”, – theksoi ambasadorja e BE-së në vendin tonë, Romana Vlahutin.

Më herët, duke folur në konferencën “Ndihma dhe mbështetja teknike për Shërbimin Publik të Mediave në Ballkanin Perëndimor”, Vlahutin theksoi se, “BE do të vijojë të ndihmojë Shqipërinë. Shqipëria dhe Maqedonia duhet të ndryshojnë, për të ecur përpara, duke konsoliduar reformat, për konferencën e parë ndërqeveritare vitin e ardhshëm. Puna parapërgatitore kërkon shumë kohë dhe duhet të fillojë që nesër. Ka nevojë për një analizë të qartë, shpjegime dhe ndërgjegjësim nga politika të ndryshme, si dhe reforma të tjera. Ju urojmë sukses në punën tuaj, ju e dini se sa e rëndësishme është”.

“Roli i medias dhe transmetuesit publik në këtë proces ka rëndësi jetike. Ka një rëndësi të qartë për ndërgjegjësimin e publikut për reformat e ndryshme. Transmetuesi publik ka një rëndësi për të ofruar programe të detajuara në mënyrë që problemet të adresohen siç duhen”, – tha Vlahutin. /gj.mima/ /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.