Kukan: Shqipëria ka avancuar në axhendën e integrimit në BE

190

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Eurodeputeti Eduard Kukan ka përshëndetur vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, pas punës përgatitore deri në qershorin e vitit të ardhshëm.

Në deklaratën e postuar në rrjetet sociale, Kukan thotë se të dyja vendet kanë avancuar me axhendën e integrimit në BE, duke shprehur besimin se si Shqipëria, ashtu dhe Maqedonia janë të angazhuara në kryerjen e reformave.

“Përshëndes konkluzionet e djeshme të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për hapjen e rrugës për negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dua të përgëzoj të dyja vendet për përparimin e bërë në axhendën e integrimit në BE. Ato meritojnë një mesazh të qartë për fillimin e negociatave të pranimit”, – shprehet Kukan.

“Një vit u është dhënë vendeve të vijnë në tryezën e negociatave, që pasqyron diskutimin e brendshëm të Këshillit mbi procesin e zgjerimit të BE. Unë mbështes plotësisht Shqipërinë dhe Maqedoninë në këtë proces dhe i besoj angazhimit të tyre në axhendën e reformave. Pres që të punoj me partnerët tanë gjatë muajve të ardhshëm dhe jam gati të eci me ta në rrugën drejt negociatave të pranimit “, – përfundon Kukan. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.