Gjiknuri takim me Pompeo: Mbështetje për projektet strategjike të Shqipërisë

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka takuar zyrtarë të lartë të administratës së Presidentit Trump në kuadër të vizitës që po zhvillon në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë pritjes së organizuar në Departamentin e Shtetit për delegacionet e nivelit të lartë pjesëmarrës në Konferencën Botërore të Gazit, ministri Gjiknuri takoi Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo dhe Sekretarin për Energjinë Rick Perry. Gjatë këtyre takimeve u bisedua për projektet strategjike që lidhen me sigurinë energjetike europiane dhe rolin që ka Shqipëria në këto procese.

“Gjeta mbështetjen e zyrtarëve të lartë të administratës së presidentit Trump për atë çka po bën Shqipëria në lidhje me ecurinë e Korridorit Jugor të Gazit, si vendi që ka kontribuar më shumë në ecurinë e këtij projekti madhor për Europën dhe sigurinë energjetike globale”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Një tjetër takim, ministri Gjiknuri e realizoi me zëvendës- nënsekretarin e Shtetit për stabilizimin e konflikteve, Peter Maroço.

“Pata mundësinë të takohem me një tjetër mik të Shqipërisë me të cilin diskutuam mbi sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe rolin që luan Shqipëria si faktor stabiliteti në rajon. Një vëmendje e veçantë u tregua edhe për sigurinë energjetike dhe projektet e ndërlidhjes  energjetike si instrument i zhvillimit ekonomik. U vlerësua roli i qeverisë shqiptare për politikat e ndërmarra në rajon dhe si një faktor i rëndësishëm i stabilitetit”, theksoi ministri Gjiknuri. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.