Vetingu, konfirmohet në detyrë gjyqtarja e Apelit të Vlorës

230

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë gjyqtaren e gjykatës së Apelit Vlorë, Brikena Ukperaj. Pas seancës dëgjimore për këtë gjyqtare, KPK-ja zhvilloi një hetim të thelluar ku u përfshinë të tre kriteret: pasuria, integriteti dhe aftësitë profesionale.

Në seancën dëgjimore të 22 qershorit, relatorja Etleda Çiftja tha se ILDKPKI kishte paraqitur raport pozitiv dhe se gjyqtarja nuk kishte fshehur pasurinë dhe nuk kishte bërë deklarim të rremë.

Në adresë të gjyqtares kishin ardhur dhe 12 denoncime nga qytetarët por relatorja e çështjes tha se denoncimet ishin shqyrtuar dhe pasi ishin verifikuar ishte arritur ne konkluzionin se ishin ankimime që u përkisnin gjykatave.

Trupa gjykuese përbëhej nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari, Etleda Çiftja.  Brikena Ukperaj (Lubonja) është edhe kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësor. /j.prifti/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.