Veliaj-artistëve: Dakord për Teatër Kombëtar pa kullë

TIRANË, 25 qershor/ATSH/-Kryetari i bashkisë Erion Veliaj në një dëgjesë publike për teatrin kombëtar dha një propozim të ri: “Kemi propozim të një teatri pa ndërtesë e sipër.”

“Ky është një progres. Kemi avancuar nga ideja”, u shpreh Veliaj në tryezën ku janë të ftuar aktorë, urbanistë, arkitektë dhe regjisorë të teatrit.

“Së pari, kemi rënë dakort që të dialogojmë, të flasim me njëri-tjetrin, të flasim me arkitektët dhe urbanistët dhe unë besoj se së fundmi edhe qytetarët janë angazhuar dhe po marrin aksionet e tyre në këtë debat.  Do të doja që të respektonim standardin aty ku është ekspert, të respektojmë pikëpamjen e secilit”, tha ai.

Veliaj e konsideroi një shans historik projektin për ndërtimin e teatrit të ri, që, siç tha, shkon përtej Tiranës dhe Shqipërisë.

“Kemi propozim për Teatrin e Ri ri, pa ndërtesë sipër. Kemi sot besoj një lëvizje ku po synohet një teatër në territorin e synuar.  E gjithë kjo energji do të na çojë në një rezultat, por po afrohemi në një projekt dinjitoz që shkon përtej Tiranës”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Përmes një videoje, të trasmetuar për të pranishmit në tryezë, foli edhe arkitekti që ka dizenjuar edhe projektin e teatrit duke i dhënë përgjigje pyetjeve të shumë prej aktorëve që kundërshtojnë ndërtimin e teatrit të ri.

“Teatri aktual nuk i ka mundësitë për të funksionuar si një teatër kombëtar, projekti do të krijojë një pafundësi mundësish krahasuar me gjendjen aktuale”, tha ai.

Veliaj vuri në pikëpyetje faktin që nëse do të kishte një  UEFA për teatrot, a do të certifikohej teatri kombëtar aktual? Nga ana e tyre, një grup artistësh të pavarur nga sindikatat e Artistëve vunë në dukej emergjencën e një godine të re, por pa u cënuar prona e teatrit për privatët.

Artistët e pavarur propozojnë një zgjidhje kompromisi për çështjen e Teatrit të ri Kombëtar. Që në nisje të diskutimeve në tryezën e sotme të thirrur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, aktori i njohur Artan Imami ka paraqitur një deklaratë ku paraqiti kushtet për të gjetur konsensusin dhe ftoi artistët dhe aktorët e tjerë në këtë proces që ta firmosin atë. Me anë të kësaj deklarate ai u shpreh dakord me ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, por duke parashtruar si kërkesë që territori të mos preket dhe që aktorët të jenë pjesë e komisionit negociues.

“Ne, artistët e pavarur që nuk jemi pjesë e grupit të sindikatave të artistëve, duam dhe shprehim nevojën emergjente për një godinë të re për teatrin Kombëtar. Ne, artistët përmes nënshkrimit të kësaj deklarate shprehim mendimin tonë para nisjes së negociatave, se prona që zotëron teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm për teatrin Kombëtar dhe jo për privatët. I ftoj të gjithë ata që gjejnë veten brenda këtij deklarimi ta nënshkruajnë dhe deklaratën do ta gjejnë edhe në web”.

Veliaj ripërsëriti faktin se është dakord që prona e teatrit të mos preket por, së pari, kërkoi numrin e artistëve që janë dakord me këtë gjë.

“Objekti është i rënë, duhet të rrëzohet direkt”, ishte komenti i një prej inxhinierëve të pranishëm që ka studiuar kushtet e teatrit aktual. z.tosku/ j.p/

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.