Tirana pret sot magjinë e muzikës klasike ruse

TIRANË, 25 qershor/ATSH/-Pas Rita Orës dhe Ermal Metës, Tirana do të presë sot edhe një tjetër spektakël muzikor.

Bëhet fjalë për muzikë klasike nga një pianisti me famë botërore, Lovro Pogorelich.

Duke nisur nga ora 20:30 ai dhe orkestra e zgjedhur që e shoqëron do të performojë në ambientet e Muzeut Kombëtar disa nga veprat më të njohura të dy autorëve rus Sergei Prokofiev dhe Modest Musorgski.

Nga Prokofiev ai do të interpretojë Sonatën Nr. me 3 kohë, ndërsa nga kompozitori Modest Musorgski do të luajë veprën muzikore “Tablo në Ekspozitë” e frymëzuar nga një vizitë në një ekspozitë arti. Secila nga kohët përfaqëson një nga vizatimet ose veprat e artit në ekspozitë. Rëndësia dhe popullariteti i kësaj vepre është kaq e madhe sa cilësohet si vepra ciklike për piano më e rëndësishme ruse.

Musorgski kompozoi “Tablo”-të si një përkujtim për mikun e tij, artistin rus Viktor Hartmann, i cili kishte vdekur në 1873 në moshën 39 vjeç. Pak kohë pas vdekjes së artistit, Musorgski vizitoi një ekspozitë retrospektive të skicave, pikturave dhe studimeve te Hartmann, dhe ndjeu nevojën për të kapur esencën e saj në muzikë.

Vepra paraqitet në 10 kohë muzikore të 10 pikturave të Hartmann-it, të ndërlidhura nga një temë e përbashkët e përsëritur, quajtur “Promenade” ( Shëtitje), që përfaqëson një vizitor – në këtë rast, kompozitorin vetë-shëtitës nëpër ekspozitë. z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.