“Quartetto di Cremona”, interpreton në Pazarin e Vjetër të Korçës

TIRANE, 25 qershor /ATSH/ – Edicioni i 5-të i festivalit të muzikës së vjetër “Vox Baroque”, solli një performancë fantastike përmes instrumenteve origjinale Stradivari.

“Quartetto di Cremona”, një nga kuartetet më në zë në arenën ndërkombëtare, intepretuan në Pazarin e Vjetër të Korçës.

Edicioni i 5-të i Festivalit të Muzikës së Vjetër “Vox Baroque” ka nisur më datë 24 qershor në qytetin e Korçës, dhe deri në datën 8 korrik do t’i kushtohet tërësisht repertorit barok.

Të pranishëm në këtë festival ishin figura të shquara të artit shqiptar, aktorë si dhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi.

Synimi i këtij festivali është të përhapë muzikën baroke të luajtur me instrumente origjinalë, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe. Njëherësh synon të ndikoj në zhvillimin rajonal, nëpërmjet edukimit muzikor, por edhe të kthehet në një nxitës të politikave drejt zhvillimit të turizmit kulturor, duke kthyer vëmendjen dhe interesin në disa nga monumentet e rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare./e.caushi/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.