PEKIN – Kina dhe BE-ja kërkojnë reformim të BTO-së për të luftuar proteksionizmin

PEKIN, 25 qershor /ATSH-DPA/ – Kina dhe Bashkimi Europian kërkojnë të bashkëpunojnë për të luftuar proteksionizmin, deklaroi sot në Pekin zëvendëskryeministri kinez, Liu He pas bisedimeve me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Jyrki Katainen.

“Masat proteksioniste mund të sjellin recesion dhe turbulenca të tregjeve”, paralajmëroi Liu sipas një deklarate nga ministria kineze e Tregtisë.

“Kina dhe BE-ja pranuan që të punojnë së bashku për të reformuar Organizatën Botërore të Tregtisë (BTO) që të mund të përballet me sfidat e reja dhe të zhvillojë më tej rregulla në fushat kryesore me ndikim global”, njoftoi Komisioni në një deklaratë. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.