Kotzias: Europa duhet ta mbajë fjalën për Shqipërinë

TIRANE, 25 qershor/ATSH/ – Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias ka apeluar që BE të hapë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Në një intervistë për “euroactive”, Kotzias thotë se “sipas mendimit tonë, që kur Komisioni Europian caktoi këtë verë vizionin për të filluar negociatat formale me Maqedoninë dhe Shqipërinë, ne na duhet ta mbajmë premtimin që bëmë”.

“Unë do të doja t’i bëja një apel të gjitha palëve për të kuptuar se me këto vende ka me të vërtetë probleme; ne i kemi vënë ato në radhë të parë, por duke i bashkuar me një proces monitorimi dhe shqyrtimi, ata mund t’i zgjidhin ato në mënyrë më efikase”, – deklaron ai.

“Unë u kam thënë homologëve të mi se ata mund të jenë aq të rreptë sa të duan. Por, ne nuk duhet ta bllokojmë atë perspektivë. Kam frikë se nëse Maqedonisë nuk i jepet një datë për pranim, të gjitha këto përpjekje që kemi bërë me sakrifica dhe kompromise të mëdha nga të dyja palët, mund të vihen në rrezik. Për më tepër, nëse një nga dy vendet fillon negociatat, dhe le të themi, Shqipëria lihet jashtë, kjo do të krijojë një gjendje paqëndrueshmërie në rajon”, – theksoi ministri grek.

Greqia është mike e të gjitha vendeve të Ballkanit, vijoi Kotzias duke shtuar se “kemi një miqësi të madhe tradicionale me Serbinë, por me të vërtetë pyes veten: për sa kohë do të qëndrojë Shqipëria duke parë Serbinë të ecë, përshpejtojë dhe përfundojë negociatat, ndërsa Tirana nuk i ka filluar fare? Këto janë faktorë destabilizues, sepse qeveritë nuk do të arrijnë t’i mbijetojnë. Dhe ndryshimet në rajonin e Ballkanit, përveç Greqisë, nuk kanë qenë kurrë të lehta apo të këndshme”./u.sh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.