Projektet e Rilindjes Urbane, zhvillim ekonomik dhe social

443

TIRANË, 24 qershor /ATSH- I. Vata/ – “Transformimi, duke synuar nxjerrë në pah të bukurën dhe vendosja e të bukurës në qendër të qëllimit të programit të Rilindjes Urbane, nuk është një çështje zbukurimesh, por një zhvillim i mirëfilltë ekonomik dhe social”, – tha Kryeministri në ceremoninë e vlerësimit të sheshit “Skënderbej”.

Duke folur për të bukurën në qendër të kryeqytetit, siç është sheshi “Skënderbej”, Kryeministri Rama theksoi se ky është një zhvillim i vërtetë ekonomik dhe social.

“Programi i Rilindjes Urbane një program i zhvillimit ekonomik dhe social dhe mjafton të shohim shifrat për të kuptuar se sa shumë ka ndryshuar dhe sa shumë mund të ndryshojë akoma më tepër situata ekonomikisht dhe nga pikëpamja e frymëmarrjes sociale kudo.

Falë programit të Rilindjes Urbane, ne kemi bërë të gjithë zinxhirin e ndërhyrjeve që i kanë dhënë një fytyrë tjetër Shqipërisë dhe që e kanë bërë të mundur nxjerrjen e kartolinave me lehtësinë më të madhe, që nga Bajram Curri deri në Konispol.

Duke përmendur faktin se Rilindja Urbane është e shpërndarë në të gjitha bashkitë e vendit, Kryeministri shtoi se “që nga hyrja te shëtitorja e Bajram Currit, deri te qendra e vogël e transformuar e Konispolit dhe duke kaluar një për një në të gjitha qendrat e bashkive të reja të Shqipërisë pa përjashtuar asnjërën, që nga Kopliku deri në Tepelenë, që nga Puka deri në Memaliaj, që nga Fushë-Arrëzi deri në Sarandë e kështu me radhë, për të mos përmendur qytetet me më shumë peshë dhe ndërhyrjet kanë qenë masive”, – përfundoi Kryeministri. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.