Dialog me të shkuarën – Regjimi komunist në Konispol, 40 dosje sekrete, 46 viktima

524

TIRANË, 23 qershor /ATSH- I. Vata/ – Diktatura nuk bënte dasi, persekutonte kudo, në çdo krahinë të vendit madje dhe në skaj të vendit Konispol ku solli mijëra vite burg dhe dhjetëra të pushkatuar, internime, dëbime dhe sekuestrime, vuajtje dhe tortura, me mijëra vite burg.

Tragjedia e persekutimit komunist në Konispol vjen nëpërmjet dosjeve sekrete të nxjerra në dritë për herë të parë, ku e vërteta ishte groposur bashkë me vlerat intelektuale, kombëtare dhe patriotike të Konispolit dhe Çamërisë në tërësi, falë punës kërkimore dhe studiuese të AIDSSH, institucioni që u krijua një vit më parë nga qeveria Rama për të kuruar të shkuarën, duke nxjerrë në pah të vërtetën e regjimit diktatorial.

Regjimi komunist në Jug të vendit, Konispol

Regjimi komunist në Konispol nuk kurseu askënd, madje dhe ata që luftuan për çlirimin e vendit dhe një nga ato familje është familja Plaku.

Një derë e ndritur, një shtëpi e mirë në krahinën e Konispolit, familja Plaku ra në hakmarrjen e regjimit komunist që i persekutoi dhe i vuri përballë togës së pushkatimit djemtë më të mirë, intelektualë e patriotë, si dhe burgosi me qindra vite burg 46 familje dhe dhjetëra të tjerë i internoi dhe i burgosi.

Kjo histori e trishtë, vjen e ekspozuar nga AIDSSH në një ekspozitë të hapur pak ditë më parë në Tiranë, duke hedhur dritë mbi errësirën e kohës së regjimit komunist dhe dosjet e pluhurosura të Arkivit të Shtetit që s’u panë kurrë, që nga mëkati i regjimit e 28 vite pas rënies së diktaturës.

Ekspozita nxorri për herë të parë 40 dosje të të persekutuarve dhe të ekzekutuarve nga regjimi komunist, ku ishin të pranishëm dhe familjarët e viktimave, të cilët me lotë në sy, rrefenin ngjarjet e tmerrshme të fëmijërisë së tyre.

Lotë të kulluar, që ndrisnin në faqet e rrudhosura dhe portretet fisnike të trashëgimtarëve të të ekzekutuarve e të burgosurve në Konispol.

Lotë që u shkisnin në brazdat e fytyrave të skulpturuara nga koha, nga brengat, nga vuajtjet që u solli regjimi komunist, por që dukeshin sikur u zbusnin sadopak shpirtin e tyre të trazuar, sepse në ekspozitën e të afërme të tyre ishin portretet, dosjet e panjohura më parë, pra doli në pah e vërteta. E ndërsa njerëzit kujtonin emrat e të ekzekutuarve dhe vlerat e tyre intelektuale dhe patriotike, dukej si një lutje për shpirtrat e tyre, një paqe që më në fund vjen te trashëgimtarët, tamam lotë gëzimi, si për të ledhatuar e shëruar plagët e lëna hapur nga regjimi komunist.

Kurimi i së shkuarës duke nxjerrë në dritë të vërtetën

Pas 25 vitesh së rënies së regjimit komunist në Shqipëri, ishte bërë shumë pak për këtë shtresë, si për dëmshpërblimin financiar, edhe atë moral. Për tre vite, falë programit të qeverisë Rama, u bë e mundur dëmshpërblimi me tetë këste i të burgosurve politikë që janë gjallë.

Nisi edhe procesi i kurimit të së shkuarës në aspektin moral, pasi tanimë kemi një institucion transparence për dosjet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit, që po nxjerr në pah të vërtetën, të fshehtën despotike të regjimit diktatorial.

Betaja me të shkuarën, duke ndriçuar dosjet sekrete

Bashkëpunimi ndërinstitucional mes Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe bashkisë Konispol, u ekspozuan dosjet sekrete për të ndriçuar të shkuarën si një mundësi për ta parë të vërtetën në sy, ashtu siç ishte, e vrazhdë dhe hakmarrëse.

Shumë dosje u ekspozuan për herë të parë për publikun, por me një domethënie të madhe në shfaqjen e realitetit të hidhur të regjimit komunist që kaloi Shqipëria për 45 vite në diktaturë.

Materialet mbi personazhet e kohës kishin të bënin me Teme Sejkon, Tahir Demin, Rexhep Plakun dhe dhjetëra të tjerë, që përshkruheshin në mijëra faqe të dosjeve që vihen për herë të parë në interes të publikut, studiuesve dhe kërkuesve shkencorë.

Ekspozita e persekutimit komunist në Konispol, hap siparin e arkivave kushtuar figurave të shumëdiskutuara, që do vijojë me një aktivitet pasues në Konispol.

Në ekspozitë, përveç dosjeve të deklasifikuara, dokumenteve dhe dosjeve arkivore që u shfaqën për herë të parë, u ndoqën me interes nga trashëgimtarët e të pushkatuarve, diplomatë, përfaqësues politikë, qytetarë dhe përfaqësues të medieve.

Kurimi i së shkuarës dhe njohja e së vërtetës

Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, Genta Sula që tha se “nëpërmjet transparencës, ne mund të kurojmë të shkuarën, duke nxjerrë të vërtetën në pah.

Duke e krahasuar atë, studiuar si një mundësi që regjime të tilla të mos kthehen më dhe do të vazhdojmë të nxjerrim në dritë të kaluarën e hidhur të regjimit komunist, ky është misioni ynë”.

Sula, theksoi se po hapim siparin që është quajtur “Dialog Rajonal me të Shkuarën”. Duhet djalog kombëtar për të njohur vetveten, që gabime të tilla, siç kanë ndodhur në diktaturë, të mos ndodhin më.

“Në qytetin e Konispolit regjimi komunist ka bërë persekucione monstruoze, por falë aplikimit të familjarëve që kanë dhënë kontribut në luftë dhe kontribut intelektual ranë pre e regjimit, por më e tmerrshmja, sepse tragjedia nuk kishte të bënte me një familje, me një komb, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në raport me fqinjët”.

Më tej Sula shtoi se “kemi bërë një kërkim serioz dhe nxorrëm materiale të personave të elitës dhe kërkimi vazhdon, se ky proces ka në thellb ballafaqimin me të vërtetën”.

AIDSSH për të realizuar ekspozitën ka kryer kërkime të thelluara mbi viktimat gjatë periudhës 1946-1973, në dokumente dhe mikrofilma dhe mbi bazën e tyre janë certifikuar të dhëna mbi akuzat, vitin e arrestimit, vitin e dënimit dhe format e dënimit.

40 dosje sekrete, 46 viktima, mijëra vite burg dhe internim

Në përbërje të dosjeve, janë në total 40 dosje të natyrës formale, hetime gjyqësore dhe bashkëpunëtorë, për 46 viktima të evidentuara.

Persekucioni i familjes Plaku në Konispol

Ish- i përndjekuri Agim Plaku, djali i Rexho Plakut, që bëri 32 vite burg në kohën e regjimit komunist, tregon ankthin e tij kur iu burgos babai dhe regjimi komunist i internoi në Lushnje.

“Kam qenë fëmi kur më arrestuan babain. Ishte një personalitet dhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kontribuoi dhe s’e kurseu, e arrestuan në vitin 1946 dhe ka bërë plot 32 vite burg”, – tha ai.

Më tej Agim Plaku, rrëfen se “familja jonë u internua në Lushnje për një kohë të gjatë. Në fillim në kooperativë bujqësore, ndërsa unë kam ndenjur edhe disa vite. Babai doli nga burgu kur isha në internim dhe jetoi vetëm një muaj e gjysëm dhe u nda nga kjo botë me plagë dhe me vranga në shpirt”.

I hodhën hekurat, në vend të dekoratave

Ndërsa Sanije e Nesibe Plakut, vajzave të Beqo Plakut të pushkatuar, tregojnë makabritetin e regjimit komunist.

“Ne jemi nga familjet Plaku nga Konispoli. Gjyshërit tonë janë Ali Plaku dhe Hajri Plaku. Ali plaku ka lindur 11 djem dhe dy vajza. Ishim një familje e pasur në Konispol. Ishim dhe një familje patriotike dhe gjyshërit tanë i kanë drejtuar për patriotizëm dhe vlerat kombëtare”, – tha Sanije Plaku.

Më tej ajo rrëfen se “në luftën Nacionalçlirimtare ishte familja Plaku që u ngrit nga krahina në luftë dhe luftuan shumë. Ali Plaku nxorri djemtë në luftë, babain tim Beqirin, Imerin, Telon që ishte mitralier dhe u vra dhe emrin ‘dëshmor’ nuk ia dhanë. Babi im Beqiri u plagos, u kap rob dhe u internua në Greqi dhe kur u kthye në vendin e tij, i hodhën hekurat në vend të dekoratave, Alush Palkut dhe Rexhe Plakut se nuk pranuan komunizmin, i vranë, i internuan. Vuajti një fis e një krahinë e tërë siç është Konispoli”.

Memorial për viktimat e komunizmit

Anëtari i AIDSSH dhe i lindur në internim Simon Miraka, duke sjellë përvojën e kurimit me të shkuarën, me regjimin komunist, shprehet se në SHBA, mora pjesë te momeriali i viktimave të komunizmit në Washington, por Shqipëria për nga numri i popullsisë është ndër më të martirizuarit nga diktatura dhe nuk kemi një muze kombëtar, ndërsa Amerika që nuk ka vuajtur nga diktatura, ka një muze në respekt të vlerave të njeriut.

Ka nisur sipari për nxjerrjen në dritë të dosjeve sekrete

Kohët e fundit, shton Miraka është bërë shumë dhe së fundmi po përpiqemi të kurojmë tragjedinë e komunizmit në Konispol me popullsinë çame, tragjedi e ndodhur në vitet ’60, ku arrestohet admirali Teme Sejko dhe që u pasua me arrestime të tjera dhe pastaj me internime.

Sipari për nxjerrjen në dritë të së shkuarës së regjimit komunist tashmë ka nisur, me vënien në dispozicion të arkivit të dosjeve të spiunëve të sigurimit të shtetit dhe Arkivit Shtetëror, si një mundësi për ta studiuar, krahasuar dhe ballafaqur me të vërtetën. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.