Tabaku: Paketa e re fiskale rëndon biznesin

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka deklaruar sot në një dalje për mediet se që nga shtatori 2013 ka vetëm një lajm të sigurtë: “taksat rriten çdo vit, por rritje pagash e pensionesh nuk ka”.

“Për pesë vite me radhë Rama ka rritur çdo taksë të mundshme për qytetarët, bizneset, studentët e deri tek pensionistët”, – tha ajo.

Sipas Tabakut: “Sa herë që Rama përbetohet se 97% e shqiptarëve paguajnë më pak, aq herë ai gënjen dhe, po aq herë, ai u vjedh shqiptarëve para nga xhepat e tyre duke shpikur taksa dhe tarifa”.

“Barrës së rëndë të taksave të rritura iu shtua këtë vit TVSH-ja për biznesin e vogël, por edhe taksa e rritur për pronën. Sot, një biznes paguan mesatarisht 230 mijë lekë më shumë taksa për pronën sesa katër vite të marra së bashku”, – theksoi Tabaku.

“Një biznes në qytetin e Tiranës për vitin 2018 paguan taksë prone të rritur nga qeveria socialiste, 510 mijë lekë ndërkohë që nga viti 2015 e deri në vitin 2017 taksa e pronës në total kishte vlerën e 282 mijë lekëve. Siç edhe duket qartë, një biznes për një hapësirë prej 20 metra katrorë pagesa i është dyfishuar. Në vitin 2015 paguante prej 56 mijë lekë, ndërsa sot, për të njëjtën godinë, paguan 128 mijë lekë”, – tha Tabaku.

“Mbi 100 mijë biznese vuajnë sot dyfishimin e kësaj takse, ndërkohë që nga viti 2015 pushteti i bashkisë Tiranë ka përdorur të gjitha format për të rritur jo vetëm taksat e tarifat, por edhe çmimin e ujit. Në 4 muaj, 5834 biznese kanë ulur qepenat. Për vitin e shkuar ky bilanc ishte me 3 mijë biznese të mbyllura më shumë se sa ato që u hapën”, – u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate shtoi se, “qeveria socialiste dhe Kryeministri Rama e kanë shndërruar mekanizmin e politikës fiskale në një armë me të cilën godasin pa mëshirë biznesin e ndershëm dhe amnistojnë dhe u falin taksa oligarkëve pranë tyre”.

“Partia Demokratike deri në minutën e fundit u përpoq të jepte zgjidhje dhe propozime konstruktive, ku megjithëse nuk ishim dakord me vlerën e lartë, i kërkuam qeverisë të fillojë më vonë zbatimin, të krijojë databazën, të ketë një periudhë lehtësimi me taksë të reduktuar, por të gjitha u refuzuan”, – tha Tabaku.

“Partia Demokratike fton biznesin të denoncojë këtë taksë abuzive, e cila sot po faturohet në mënyrë afrofe, pa një regjistër pronash. Në qendër të platformës tonë është taksa e sheshtë që do t’i japë frymë ekonomisë e do të ndihmojë biznesin e ndershëm të dalë nga asfiksia dhe të rritet pa gjobvënien e shtetit. Ne qëndrojmë fort për uljen e taksave për çdo qytetar dhe çdo biznes, pasi besojmë se çdo lek më shumë në xhepin e qytetarëve është më i dobishëm sesa në xhepat e qeverisë”, – përfundoi deputetja e PD-së, Jorida Tabaku. /gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.