Me ligjin e ri të strehimit, më shumë mundësi për familjet në nevojë

TIRANË, 22 qershor/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama theksoi sot nga Saranda se “me hyrjen në fuqi të ligjit të strehimit do të krijohet një mundësi më shumë për bashkitë të kenë më shumë hapësira në dispozicion për t’ua dhënë familjeve në nevojë”.

Gjatë një takimi në Karahaxh në Sarandë me pakicat kombëtare në kuadër të turit të llogaridhënies kryeministri Rama duke iu përgjigjur një qytetareje nga Saranda që ngriti shqetësimin për problemin e strehimit, tha se “strehimi është një problem për shumë njerëz ka dhe të tjerë që janë më halle dhe probleme. Mundësitë për strehimin janë ato që janë, ne kemi bërë një ligj të ri për strehimin, ku kemi detyruar me ligj kompanitë, meqë na thonë që ju mbështesni të pasur dhe oligarkët që ndërtojnë”.

“Në fakt të gjithë ata që ndërtojnë i ka gjetur belaja me qeverinë tonë se po paguajnë taksa që si kishin menduar ndonjëherë dhe me ligj i kemi detyruar që 3 % të ndërtimit do ta japin për familjet e pastreha”, nënvizoi Rama.

Kryeministri i premtoi qytetares nga Saranda se për çështjen e saj do të flasë konkretisht, nëse ka mundësi për të ndihmuar për strehimin e saj./k.s/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.