KE mbështetje Shqipërisë për zbatimin më tej të reformës në drejtësi

TIRANE, 22 qershor/ATSH/- Komisioni Europian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë që reforma në drejtësi të ecë me ritme të shpejta.

Kështu deklaroi Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson, në takim me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Ministrja bën me dije se gjatë këtij takimi u diskutua për sfidat e reformës në drejtësi, rezultatet e Vetingut dhe nismën ligjore që ka propozuar mazhoranca qeverisëse për zgjidhjen e vakancave në sistemin gjyqësor.

Danielsson vlerësoi reformën në drejtësi dhe siguroi për vazhdimin e mbështetjes nga ana e Komisionit Europian, që kjo reformë të ecë me ritme sa më të shpejta duke gjetur edhe konsensusin e palëve politike në vend.

Gjithashtu, Gjonaj e informoi Danielsson mbi miratimin në parim të marrëveshjes me EUROJUST si dhe masat e marra për të përshpejtuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes dhe për të realizuar dërgimin e prokurorëve shqiptarë në EUROJUST për forcimin e hetimeve të përbashkëta. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.