Japonia i akordon një dekoratë perandorake ish-ambasadorit Bujar Dida

465

TIRANE, 22 qershor/ATSH/- Ambasada e Japonisë në Shqipëri organizoi ditën e Enjte një ceremoni të veçantë në nderim të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Japoni, profesorit Bujar Dida, të cilit iu akordua Dekorata ” The Order of the Rising Sun, Gold and Silver Star”.

Në një ceremoni ku morën pjesë Zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Etjen Xhafaj, Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari, ish-Presidenti Rexhep Meidani si dhe të ftuar e personalitete të tjera, Ambasadori Ito i dorëzoi z. Dida simbolet e nderit; Ҫertifikatën e Dekorimit dhe Dekoratën Perandorake.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Ambasadori Ito uroi ish-ambasadorin Dida për dekorimin dhe e falemnderoi atë për kontributin e dhënë gjatë 18 viteve të fundit, për krijimin e urës së parë të miqësisë dhe mirëkuptimit midis Japonisë dhe Shqipërisë.

Duke e konsideruar zotin Dida si një prej miqve më të spikatur të Japonisë në Shqipëri, Ambasadori Ito tha se “unë besoj se suksesi i marrëdhënieve midis Japonisë dhe vendeve të tjera i detyrohet shumë përkushtimit dhe përpjekjeve të njerëzve si z. Bujar Dida”.

Nga ana e tij ish-ambasadori Dida ishte i ngazëllyer dhe i emocionuar nga nderi i veçantë dhe shprehu mirënjohjen e tij të përzemërt Madhërisë së tij, Perandorit Akihito, Kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe dhe Ambasadorit të Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito.

Ai i dedikoi këtë dekoratë gjithë zyrtarëve, kolegëve, miqve dhe të afërmve që i kanë qëndruar pranë dhe e kanë mbështetur përgjatë viteve.

Dida përmendi si një prej arritjeve të tij më të mëdha, krijimin e një kurrikule të gjuhës japoneze në Universitetin Politeknik të Tiranës, nga e cila kanë përfituar rreth 100 studentë deri më sot, ndërsa shumë të tjerë që do të vijojnë ta ndjekin këtë lëndë gjatë viteve në vijim, do të përfitojnë gjithashtu.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë Zëvendësministri Etjen Xhafaj foli për rëndësinë që ka pasur kontributi i z. Dida në avancimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Japonisë. Duke vlerësuar Japoninë si një prej partnerëve më të rëndësishëm të Shqipërisë ai shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vijnë duke u forcuar.

Xhafaj vlerësoi në mënyrë të veҫantë vizitën e fundit, që Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi në Japoni, para disa ditëve, “Iniciativën për Bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor”, të lanҫuar nga qeveria japoneze në fillim të muajit Shkurt si dhe mbështetjen që JICA ka ofruar gjatë viteve si një dëshmi të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve.

Dida është i pari shtetas shqiptar i cili nderohet me një Dekoratë Perandorake japoneze, e cila akordohet nga vetë Perandori i Japonisë, në vlerësim të përpjekjeve dhe përkushtimit të individëve të ndryshëm për të forcuar më tej marrëdhëniet e ngushta e miqësore midis Japonisë dhe Shqipërisë si dhe për përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar gjuhën dhe kulturën japoneze në Shqipëri.

Bujar Dida ka shërbyer si i pari Konsull i Përgjithshëm Nderi i Japonisë në Shqipëri dhe si i pari Ambasador i Shqipërisë në Japoni. Ai ka pasur detyrën e vështirë të krijonte kontaktet e para institucionale midis dy vendeve tona./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.