Haradinaj: Sa më shumë të punësuar nga komuniteti egjiptian

PRISHTINË, 22 qershor/ATSH/.- “Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë komunitetin egjiptian në Kosovë, në kulturë dhe arsim, por para së gjithash të sigurojë që përmes zhvillimit ekonomik të ketë sa më shumë të punësuar nga radhët e komunitetit egjiptian”, deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj.

Gjatë takimi me përfaqësues të komunitetit egjiptian, të kryesuar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Veton Berisha, si dhe përfaqësues nga shteti Egjiptian, të kryesuar nga Zahi Hawass, ish-ministër i Shtetit për çështje të antikiteteve, ambasador i OKB-së për trashëgimi globale, Haradinaj tha se “Kosova respekton diversitetin kulturor, etnik, fetar, dhe këtë e konsideron pasuri të vetën të veçantë”.

“Ky komunitet ka qenë i përkushtuar që nga paslufta për ndërtimin e  institucioneve të Kosovës, si dhe pjesë e të gjitha proceseve shtetndërtuese. Këto janë dëshmia më e mirë dhe më e fuqishme se sa e drejtë dhe sa e justifikueshme është baza e vlerës multietnike, e cila po ndërtohet në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar për kontributin e tyre në luftën çlirimtare të Kosovës.

Haradinaj, po sot, mori pjesë në “Javën Egjiptiane” dhe 24 Qershorit, Ditës Kombëtare të komunitetit egjiptian në Kosovë dhe Ballkan, e organizuar nga Zyra e Kryeministrit Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se është nder që sot prezent është edhe profesori i nderuar nga Egjipti, Zahi Hawass, i cili është një vlerë e civilizimit dhe i cili vlerat që janë për gjithë globin, trashëgiminë mijëravjeçare, po i nxjerr në dritën e sotme dhe po i shpërndanë për të gjithë.

Në fund të ceremonisë, përfaqësuesit e komunitetit egjiptian, për kontributin e dhënë nga kryeministri Haradinaj për këtë komunitet, i dhuruan mirënjohje./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.