Brazili kërkon sot fitoren e parë

252

TIRANË, 22 Qershor/ATSH/ -Të gjithë sytë sot janë nga Brazili. 5-herë kampionët e botës luajnë këtë të premte që përkon me ditën e 9-të të Botërorit, ndeshjen e dytë në grup. Seleçao sfidon Kosta Rikën që konsiderohet edhe si skuadra më e dobët e grupit, në një ndeshje ku objektivi i vetëm për ekipin e Tites është fitorja.

Pas barazimit ndaj Zvicrës në ndeshjen debutuese sot Neymar me shokë duhet të kthejnë faqe.

Rotacioni për shiritin e kapitenit vazhdon me Thiago Silvën që do të jetë kapiten sot ndërsa në ndeshjen ndaj përfaqësueses helvete shiritin e mbajti Marcelo. Neymar është rikuperuar plotësisht dhe do ta nisë ndeshjen që nga fillimi ndërkohë që ndryshimi i vetëm në formacionin e Brazilit pritet të jetë në krahun e djathtë të mbrojtjes ku Fagner do të marrë vendin e Danilos.

2 miqësoret e fundit mes tyre janë fituar nga Brazili ndërkohë që mund të thuhet se Kosta Rika i sjell fat Seleçaos sepse të dyja skuadrat bënin pjesë në të njëjtin grup edhe në Botërorin e vitit 2002 me Brazilin që mposhti 5-2 Kosta Rikën dhe më pas fitoi trofeun e Kupës së Botës.

Ndryshe nga 4 vite më parë kur shkoi deri në çerekfinale Kosta Rika ka humbur shumë në cilësi pasi disa prej futbollistëve janë 4 vjet më mëdhenj dhe nuk kanë më të njëjtën freski në fushë.

Ylli i skuadrës është padiskutim portieri i Realit të Madridit Keylor Navas. Brazil-Kosta Rika do të luhet në stadiumin e Zenitit në Shën Petersburg dhe do të nisë në orën 14:00.

/gj.m/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.