Borshi më afër Tiranës sesa Himara

TIRANË, 22 qershor /ATSH/- Rruga e Lumit të Vlorës që ka hyrë në fazën e ndërtimit të plotë, shkurton ndjeshëm distancën e fshatit turistik Borsh me Tiranën, duke ndikuar në rritjen e fluksit të turistëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, tha sot gjatë një takimi në Himarë me banorë të kësaj zone, se investimi në ndërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës, i shërben veçanërisht fshatit Borsh, duke bërë që rruga Borsh-Tiranë, të përshkohet më shpejt se rruga nga Himara në Tiranë.

Rruga për në Borsh, shpjegoi ministri, shtrihet nga Levani në Selenicë dhe kjo distancë, siç u shpreh Gjiknuri, nuk do të jetë më shumë se një orë, ashtu sikurse edhe nga Levani në Tiranë do të përshkohet për një orë, çka do të bëjë që turistët të vijnë masivisht në bregun e bukur të jugut shqiptar, duke nxitur kështu të ardhura e përfitime më të mëdha.

Shumë shpejt edhe fshati Borsh do të ketë një shëtitore, investim i cili do të sjellë atraksion të ri turistik e piktoresk, tha Gjiknuri.

Borshi është një fshat i madh dhe i bukur, që gjendet më në jug të vendit se Himara, në zonën e Bregut, apo siç njihet ndryshe Riviera shqiptare. /e.xh//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.