STAR2 – projekti i BE, u ofron 61 bashkive përgatitjen e procesit të auditimit nga KLSH

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ 21 bashki u bënë sot pjesë e tre sesioneve informuese në qytetet Kukës, Pogradec dhe Vlorë për prezantimin e mbështetjes që STAR2 do u ofrojë 61 bashkive në përgatitjen e procesit të auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe rritjes së zbatimit të rekomandimeve të këtij institucioni për njësitë e qeverisjes vendore.
Në takimin e Kukësit ishin prezentë përfaqësues të bashkive Kukës, Has, Tropojë, Bulqizë, Klos, Dibër, në tryezën e Pogradecit përfaqësues kishin bashkitë Pogradec, Korçë, Librazhd, Kolonjë, Cërrik, Peqin, Maliq, Elbasan e Belsh, ndërsa në Vlorë, bashkitë Vlorë, Libohovë, Selenicë, Dropull, Përmet dhe Tepelenë.

Gjatë diskutimeve, punonjësit e bashkive ngritën pyetje specifike mbi legjislacionin në fuqi për auditimin nga KLSH dhe problematika konkrete të hasura nga bashkitë e tyre gjatë kontrolleve të shkuara nga ky institucion.

STAR2- Konsolidimi i Reformës Territoriale dhe Administrative – është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian, Suedia, Italia, Zvicra, USAID, UNDP dhe Qeveria e Shqipërisë në mbështetje të konsolidimit të njësive vendore të Shqipërisë.

Partneri zbatues i projektit është Ministria e Punëve të Brendshme. Projekti zbatohet nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Shqipëri. /m.z//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.