Londra kërkon fillimin e një procedure të thjeshtë regjistrimi për shtetasit europianë pas Brexit

LONDËR, 21 qershor /ATSH-AFP/ – Qytetarët europianë të pranishëm në Britaninë e Madhe do të fillojnë regjistrimin në vjeshtë për të marrë një leje qëndrimi të përhershme pas Brexit, njoftoi sot qeveria britanike, e cila është angazhuar për ta bërë procedurën sa më të thjeshtë të jetë e mundur.

Rreth katër milionë shtetas europianë të cilët jetojnë në Britaninë e Madhe, ku aktualisht gëzojnë lirinë e lëvizjes do të përfundojë pas një periudhe tranzicioni 21-mujore pas Brexit, e planifikuar për në 29 mars të vitit 2019.

Këta shtetas mund të nisin regjistrimin që nga vjeshta e këtij viti, me objektivin që procedura të jetë plotësisht funksionale deri në mars të vitit 2019, deklaroi ministri i Brendshëm, Sajid Javid në Dhomën e Lordëve. Ai siguroi se procedura do të jetë sa më e thjeshtë e mundur.

Në dhjetor të vitit 2017, Londra dhe Brukseli arritën një marrëveshje për të garantuar, pas Brexit ruajtjen e të drejtave të këtyre shtetasve si dhe të britanikëve të cilët jetojnë në BE. Si njëra palë dhe tjetra shprehën shqetësime të mëdha në lidhje me paqartësitë rreth zbatimit efektiv të këtyre garancive.

Kërkesat për një leje qëndrimi mund të dorëzohen online ose nëpërmjet një aplikacioni në celular, detajoi qeveria britanike. Kandidatët duhet të dëshmojnë identitetin e tyre, të sigurojnë një dëshmi të vendbanimit në Britaninë e Madhe dhe të mos kenë kryer shkelje të rënda. Nuk do të kërkohen të ardhura mininale./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.