Kampe refugjatësh në Shqipëri, Balla: Dezinformim nga politikanë të papërgjegjshëm

TIRANË, 21 qershor/ATSH-Maela Marini/ Shqipëria do të mbajë aq sa përgjegjësi i takon për çështjen e refugjatëve, në momentin që pozicionohet në rrugën e re të kalimit të tyre drejt Europës Qendrore, por nuk ka asnjë plan apo negociatë lidhur me ndërtimin e kampeve.

Kështu deklaroi të enjten në një prononcim për mediet, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke komentuar deklaratat e opozitës se, “Shqipëria do të ndërtojë kampe për të strehuar rreth 600 mijë refugjatë sirianë”.

Duke e cilësuar këtë një dezinformim të rëndë publik, Balla tha se “politikanët e papërgjegjshëm shqiptarë duhet të qartësojnë njëherë deklaratat e tyre, pasi herë deklarojnë luftëtarë të ISIS-it dhe herë refugjatë sirianë, dhe këtu ka një dallim shumë të madh”.

“E rëndësishme është që të kuptojmë se nuk ka asnjë plan dhe asnjë negociatë lidhur me këtë çështje. Ka vetëm një rikthim të shqetësimit mbarë europian për një kanal të ri që lidh Europën Juglindore me Europën Qendrore, një rrugë e re e emigrantëve që vijnë nga vendet në konflikt”, – tha Balla.

Ai theksoi se këta emigrantë mund të shfrytëzojnë kanalin Greqi-Shqipëri-Mal të Zi-Kroaci, për të kaluar në vendet e Europës Qendore.

Por, Balla nënvizoi se “Shqipëria nuk ka kapacitete për të strehuar, por si një vend që mund të jetë pjesë e këtij kanali transferimi, sigurisht që do të marrë përgjegjësi për aq sa i takon ‘këllqeve’ të një vendi si i yni”.

“Se sa mund të jenë përgjegjësitë, kjo i takon organeve kompetente, por ky është qëndrimi politik, që: Shqipëria do të mbajë përgjegjësitë e veta aq sa i takon, në kuadër të kësaj rruge të re kalimi dhe për t’iu përgjigjur solidaritetit mbarë europian për këtë çështje”, – theksoi Balla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.