Hungaria mbështetje pa asnjë rezervë procesit integrues të Shqipërisë

228

TIRANE, 21 qershor/ATSH/- Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, László Kövér.

Duke u ndalur në miqësinë tradicionale midis dy popujve, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e veçantë lidhur me mbështetjen që populli hungarez dhe udhëheqësit e tij i kanë dhënë shqiptarëve në momentet kyçe të historisë.

Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen që Hungaria dhe Parlamenti hungarez i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë që i japin procesit të integrimit europian të vendit.

Kryetari Kövér përshëndeti progresin e bërë nga Shqipëria në këtë drejtim dhe e siguroi Presisdentin Meta se Parlamenti hungarez do vijojë ta mbështesë Shqipërinë pa asnjë reserve në aspiratën e saj evropiane.

Bashkëbiseduesit vlerësuan rolin që mund të luajnë të dy parlamentet dhe në veçanti grupet parlamentare të miqësisë, për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rritjen e shkëmbimeve në fusha të ndryshme me interes reciprok. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.