Hardh Fest 2018, aktiviteti që do të sjellë mijëra turistë në Kosovë

PRISHTINË, 21 qershor/ATSH/.- Festa e vjeljes së rrushit “Hardh Fest 2018”, frymëzuar nga tog-fjalëshi ‘Me pamje nga deti’ këtë vit organizohet nën sloganin “Me pamje nga vreshtat”, më datë 7- 9 shtator në Konak të Rahovecit, Kosovë.

Turistët do të kenë mundësi të shijojnë pamjet që ofron qyteti i Rahovecit bashkë me plantacionet e vreshtave, i cilësuar nga turistët ndërkombëtarë edhe si Toskana e Kosovës.

Jeta në Hardh Camp, panairi i verës, garat në shtrydhjen e rrushit, netët me muzikë, plot shoqëri dhe një gotë verë rreth kazanit të rakisë dhe zjarrit, e më pas momentet e këndshme të mëngjesit, janë eksperienca e plotë e shpirtit dhe jetës së Hardh Festit.

Me sloganin “Me pamje nga vreshtat” festivali “Hardh Fest” këtë vit do të sjellë shumë risi dhe atraksione turistike dhe kulturore.

Festivali organizohet nën kujdesin e kryetarit të komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe sponsorëve të festivalit.

Festa e Vjeljes së Rrushit, “Hardh Fest”, edicionin e kaluar shënoi një sukses të madh, ku numri i pjesëmarrësve arriti mbi 50 mijë vizitorë nga mbarë bota.

Komuna e Rahovecit me tërë historinë e pasur në prodhim të verës dhe token pjellore ka potenciale të mëdha për zhvillime në të ardhmen. Zhvillimi ekonomik në komunën e Rahovecit është orientuar me së shumti në bujqësi, vreshtari dhe perime kulturë. Afro 65% e popullatës është vlerësuar se sigurojnë ekzistencën nga aktivitetet bujqësore. Mesatarja vjetore e të ardhurave për një fermer është përafërsisht 2,500 deri 3,000 €. Komuna e Rahovecit disponon me rreth 50 % të sipërfaqeve të vreshtave të Kosovës si dhe kapaciteteve përpunuese./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.