Hajnaj, asnjë mjet lundrues nuk do të rrezikojë jetën e pushuesve

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, prezantoi masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror.

Gjatë prononcimit për shtyp Hajnaj theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar që mos të lejojë asnjë mjet lundrues të futet brenda perimetrit të sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesve.

“Policia e Shtetit në zbatim të urdhrit të Kryeministrit për miratimin e masave për sezonin turistik dhe ngritjes së Task-Forcës, ka miratuar planin e saj të masave për vitin 2018 për sezonin turistik.

Në zbatim të këtij plani masash janë miratuar dhe një sërë aktesh të tjera të cilat janë: urdhri i ministrit të Brendshëm ‘Për monitorimin e masave për zbatimin e detyrimeve ligjore për sezonin turistik’. Në këtë urdhër parashikohet ngritja e grupeve të monitorimit me në krye prefektin dhe anëtarët e këtij grupi, janë të gjithë përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore që kanë detyrime për sezonin turistik. Gjithashtu është udhëzimi i ministrit të Brendshëm ‘Për monitorimin dhe kontrollin e lëvizjes dhe regjistrimin e mjeteve lundruese gjatë sezonit turistik’ dhe një plan veprimi i cili bashkërendon masat midis Policisë së Shtetit, qeverisjes vendore dhe prefekturës”.

Hajnaj theksoi se qëllimi i masave të ndërmarra është garantimi i rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, në plazhe, rritja e parametrave të sigurisë rrugore dhe menaxhimi i hyrje-daljeve në kufi për këtë sezon turistik veror. /m.z//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.