Xhafaj me homologun belg, diskutojnë për çështjen e migracionit të parregullt

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj në vijim të vizitës në Bruksel u prit në një takim nga homologu belg, Jan Jambon.

Gjatë takimit ministri Xhafaj bëri një përmbledhje të arritjeve të deritanishme në fushat e veprimit të Ministrisë së Brendshme.

Xhafaj prezantoi rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” si dhe u ndal edhe te rezultatet në luftën kundër fenomenit të kanabisit, qëllimi i së cilës është heqja përfundimisht e Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis.

Në vijim biseda midis dy ministrave u fokusua te lufta kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm si dhe çështjet që kanë të bëjnë me azilkërkimin dhe migracionin e parregullt, të cilat janë kthyer në çështje të diskutuara në Belgjikë.

Duke qëndruar tek çështja e azilkërkimit, Xhafaj nënvizoi se “Ministria e Brendshme dhe strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë një sërë masash për uljen e numrit të azilkërkimit dhe adresimin e çështjeve të migracionit të parregullt. Shqipëria, edhe në sajë të kapaciteteve të kufizuara që disponon, ka arritur të shprehë suksese të qenësishme në këtë drejtim, por nevojitet një mbështetje më e gjerë nga partnerët e Bashkimit Europian”.

Ministri belg u shpreh se sfidat që po has Shqipëria, janë po të njëjtat me ato të vendeve anëtare të BE-së, duke marrë si shembull terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, ku jo më larg se disa javë më parë, Belgjika u godit nga ky fenomen.

Të dy ministrat theksuan se bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë është shumë i mirë, por ka ende vend për një intensifikim të tij në fushat me interes të përbashkët. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.