Thaçi: Flamuri i Kosovës do të valojë në Tarragona të Spanjës

PRISHTINË, 20 qershor/ATSH/.- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi sot solemnisht Flamurin e Kosovës, Ekipit Olimpik të Kosovës, i cili për herë të parë do të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, që mbahen në Tarragona të Spanjës.

Në ceremoninë e organizuar Thaçi tha se numri i sportistëve tanë që po marrin pjesë në gara ndërkombëtare është duke u rritur çdo herë e më shumë.

“Për herë të parë po përfaqësohemi zyrtarisht nga 40 sportistë, 13 trajnerë dhe 4 gjyqtarë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se “prej 4-5 sportistëve sa na kanë përfaqësuar më herët, tash kemi arritur në 40 sportistë dhe vitin tjetër do të jemi edhe më tepër”.

Kreu i shtetit theksoi se Flamuri i Republikës së Kosovës do të valojë në ceremoninë e hapjes dhe mbylljes së këtyre lojërave.

“Do të lartësohet sa më shumë prej sportistëve tanë si simbol shtetëror i fitoreve të tyre, fitoreve tona”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka thënë se përtej kënaqësisë që pranuan sot Flamurin e Republikës së Kosovës, është edhe ndjenja e krenarisë që flamuri ynë do të valojë në Tarragona.

“Janë përgatitur mjaft mirë sportistët dhe besoj se edhe do e tregojnë më të mirën e tyre gjatë këtyre lojërave”, ka thënë Hasani.

“Nga zemra dëshiroj t’ju falënderoj për përkrahjen e përhershme dhe ju premtojmë se edhe ne do të mundohemi ta prezantojmë Kosovën në mënyrë të dinjitetshme dhe të ngrisim sa më lartë imazhin e Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Duke folur në emër të sportistëve, kampionia e shumëfishtë botërore në xhudo, Majlinda Kelmendi, theksoi se ndjehet mirë për faktin se është një numër i madh i sportistëve që do të marrin pjesë në lojëra mesdhetare, në krahasim me numrin që ka qenë në Rio.

“Është kënaqësi jashtëzakonisht e madhe për mua të pranoj flamurin”, tha Kelmendi duke shprehur besimin se sportistët do të përfaqësojnë denjësisht shtetin tonë për herë të parë në lojërat mesdhetare.

Presidenti Thaçi u uroi suksese të gjithë sportistëve tanë që do të garojnë në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.